Autoritetet kanë gjetur 63 trupa me shenja torture pranë Khersonit, tha Monastyrskyi. Ai nuk dha detaje, duke thënë se hetimi për krimet e mundshme të luftës në rajon sapo kishte filluar
Për 10 ditë, Alesha Babenko ishte mbyllur në një bodrum dhe rrihej rregullisht nga ushtarët rusë. I lidhur me sy të mbyllur dhe i kërcënuar me goditje elektrike, 27-vjeçari iu lut që të ndalonin. “Mendova se do të vdisja”, tha ai për “Associated Press”.
Në shtator, Babenko dhe nipi i tij 14 vjeçar, Vitaliy Mysharskiy, u arrestuan nga ushtarët rusë që pushtuan fshatin e tij Kyselivka në rajonin jugor të Ukrainës, Kherson. Ata kishin fotografuar tanket e shkatërruara dhe ia dërgonin ushtrisë ukrainase.
I ulur këtë javë në një stol jashtë shtëpisë së tij, Babenko u trondit dukshëm ndërsa tregoi traumën e hedhjes në një makinë, e çuar në qytetin e Khersonit dhe e marrë në pyetje derisa rrëfeu.
Ndërsa dhuna përshkallëzohet në Ukrainë, abuzimet e kryera nga Rusia janë bërë të përhapura, sipas Kombeve të Bashkuara dhe grupeve të të drejtave të njeriut. Situata është veçanërisht shqetësuese në rajonin Kherson, ku qindra fshatra, përfshirë qytetin kryesor, u çliruan nga pushtimi rus në fillim të nëntorit. Ishte një nga sukseset më të mëdha të Ukrainës në luftën gati nëntë-mujore, duke i dhënë një goditje tjetër therëse Kremlinit.
OKB-ja thotë se po përpiqet të verifikojë pretendimet për gati 90 raste të zhdukjeve me forcë dhe ndalimeve arbitrare në Kherson dhe po përpiqet të kuptojë nëse shkalla e abuzimit është më e madhe se sa është dokumentuar tashmë.
Zyrtarët ukrainas kanë hapur më shumë se 430 raste të krimeve të luftës nga rajoni Kherson dhe po hetojnë katër vende të dyshuara të torturës, tha për televizionin shtetëror Denys Monastyrskyi, Ministri i Punëve të Brendshme të Ukrainës.
Autoritetet kanë gjetur 63 trupa me shenja torture pranë Khersonit, tha Monastyrskyi. Ai nuk dha detaje, duke thënë se hetimi për krimet e mundshme të luftës në rajon sapo kishte filluar.
Të mërkurën, gazetarët e Associated Press panë pjesën e brendshme të një prej këtyre vendeve të supozuara të torturës në një qendër ndalimi të drejtuar nga policia në Kherson.
Ushtarët rusë dukej se ishin larguar me nxitim, duke lënë flamujt dhe portretet e presidentit rus Vladimir Putin të shpërndara nën xhamat e thyer në dysheme. Fqinjët përshkruan një fluks të vazhdueshëm njerëzish me pranga që po silleshin, me qese mbi kokë. Ata që u lejuan të largoheshin u larguan pa këpucë ose sende personale.
Ditëlindja në burg
Maksym Nehrov kaloi ditëlindjen e tij të 45-të në burg, i arrestuar nga rusët sepse ishte një ish-ushtar.
“Gjëja më e tmerrshme ishte të dëgjoje njerëz të tjerë duke u torturuar gjatë gjithë ditës”, tha ai.
Duke ecur përgjatë korridorit të burgut tashmë të zbrazët, ai kujtoi se sa herë që nuk i bindej disi rusëve, ata e goditnin me një goditje elektrike në qafë dhe në kokë.
Gjatë gjithë luftës, fshatrat e çliruara të Ukrainës kanë zbuluar mijëra mizori të të drejtave të njeriut të kryera nga ushtarët rusë. Trupat u shpërndanë nëpër rrugë në Bucha dhe Irpin, periferi të kryeqytetit, Kiev, pasi Rusia u tërhoq në prill.
Grupet e të drejtave thonë se është shumë herët për të ditur nëse abuzimet në Kherson ishin në të njëjtin nivel si në zonat e tjera të çliruara, por se ka shumë të ngjarë.
“Në të gjitha zonat e pushtuara ku kemi pasur mundësi të qasemi, kemi dokumentuar incidente të torturës, vrasjeve jashtëgjyqësore dhe torturave. Dhe ne jemi shumë të shqetësuar se Khersoni nuk do të jetë ndryshe”, tha për AP-në, Belkis Wille, studiues i lartë i krizës dhe konfliktit në Human Rights Watch.
Grupi ka dokumentuar sulme të paligjshme ndaj civilëve, tortura dhe zhdukje me forcë të civilëve në zonat e pushtuara anembanë vendit.
Që kur forcat ruse u tërhoqën më 10 nëntor, banorët në qytetin e papërshkrueshëm të Kyselivka, të cilët duruan abuzime, po përpiqen të marrin pjesët e jetës së tyre.
Pasi Babenko dhe nipi i tij u kthyen në shtëpi - në një kohë kur fshati i tij ishte ende nën pushtimin rus - ai ishte shumë i tmerruar për të lënë shtëpinë. Ai ishte i përhumbur nga ajo që kishte duruar. Ndërsa ishte i ndaluar, ushtarët rusë e morën në pyetje në mënyrë të përsëritur, duke i goditur me shkelma dhe grushte brinjët, hundën dhe stomakun pothuajse çdo ditë, tha ai.
Nipi i tij i vogël i shpëtoi një abuzimi të tillë, por iu tha se do të bëhej shtetas rus dhe do të mbrohej. Të dy u lanë të lirë pasi rrëfyen atë që kishin bërë në video, thanë ata.
Por të tjerët në fshatin e tyre nuk kanë qenë aq me fat.
Dy muaj më parë, kumbari i djalit të Alla Protsenkos u mor nga shtëpia e tij nga ushtarët rusë dhe që atëherë nuk është parë më. Duke ecur nëpër shkollën pjesërisht të shkatërruar ku ajo jepte mësim përpara se rusët ta kthenin atë në një bazë ushtarake, Protsenko tha se ajo ka krehur vendin duke e kërkuar atë, pa dobi.
Herën e fundit që 52-vjeçarja e pa atë ishte në ditëlindjen e saj, një javë para se ai të zhdukej.
“Më kujtohet ai duke buzëqeshur si për të thënë: “Prisni, gjithçka do të jetë mirë”, tha ajo. “Për mua, ai është ende gjallë. Nuk mund ta pranoj që tani (ndoshta), ai është zhdukur”.
Përktheu: Forca Jashari