Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” portretizon fituesin e zgjedhjeve në Slloveni.
Ka ndodhur edhe në të kaluarën që në Slloveni një politikan të fitojë zgjedhjet me një parti të re. Të dielën kësaj ia ka dalë Robert Golob, i cili, siç shkruan gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” në një portret, deri në fund të vitit të kaluar ka qenë në krye të prodhuesit të rrymës GEN-I.
Por Golob, 55-vjeçar, nuk është i ri në politikë. Në kabinetin e kryeministrit Janez Dërnovshek ai ka qenë tri vjet sekretar shteti për energji. Këtë funksion e ka ushtruar deri në vitin 2002. Më parë ai ka qenë pjesë e ekipit që negocioi anëtarësimin e Sllovenisë në BE.
Politikisht Golob i përket spektrit të majtë liberal në Slloveni. Kryeministri i deritanishëm Janez Jansha, i përfolur dhe njëherë i dënuar për korrupsion, të gjithë kundërshtarët e tij politikë i etiketon si pjesë të elitave jugosllave. Por, shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, si shef i GEN-I Golob për 15 vjet me radhë gjerësisht ka praktikuar ekonominë e tregut – dhe këtë e ka bërë, sipas vlerësimit të ekspertëve, me sukses.
Nëntorin e kaluar Golob njoftoi se nuk ka më ardhmëri në ndërmarrjen pjesërisht shtetërore GEN-I. Kjo u nënkuptua se Janez Jansha kishte ndikuar në largimin e tij nga GEN-I.
Golob u rikyç në politikë, mori drejtimin e një partie të gjelbër dhe deri atëherë të parëndësishme, e zgjeroi spektrin politik dhe e emëroi atë “Lëvizja për liri”. Ende pa u themeluar formalisht, partia kryesoi anketat elektorale.
Golob ka diplomuar më 1989 në Universitetin e Lubjanës si inxhinier i elektroteknikës, pastaj doktoroi dhe fitoi një bursë Fulbright si docent në Georgia Institute of Technology në SHBA. Golob u lind më 1967 në Shempeter pri Gorici në kufi me Italinë.
Gjatë fushatës elektorale Golob tha se për të mbrojtur familjen nuk do të publikonte dokumentacionin e tij të tatimeve. Oponentët politikë, sipas “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, u përpoqën ta luftojnë me thashetheme mbi rrogën e tij tepër të lartë dhe një xhirollogari të dyshimtë në Rumani. Ky skandalizim nuk pati sukses. Fitoren e tij në zgjedhje ai nuk arriti ta festojë me përkrahësit e tij për shkak të infektimit me korona.
Përgatiti:
Enver Robelli