Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ish-kryeministri slloven akuzon shtetin e tij se po vonohet me hetimet ku përfshihet Berishaj

Ish-kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, ka akuzuar shtetin e tij se po vonohet me nisjen e hetimeve për dyshimet për korrupsion lidhur me kompaninë furnizuese energjetike GEN, në një skandal financiar të së cilës qe implikuar edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Në prill të vitit të kaluar, ambasadori Berishaj akuzohej nga mediat në Lubjanë se është përfshirë në një skandal për shpëlarje parash në Slloveni. Mbështetur në raportimet e asaj kohe, kompania e ambasadorit Berishaj, “MB Consulting”, i ka marrë 600 mijë euro të cilat gradualisht i ka nxjerrë në para të gatshme e që dyshohet se ia ka kthyer Robert Golobit (tash kryeministër), që ky pastaj t’i investojë në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet. Berishaj pati mohuar akuzat duke u kundërpërgjigjur me padi ndaj raportuesve.

Jansha ka publikuar në Twitter mediume të ndryshme të rajonit duke thënë se Qeveria e Sllovenisë është bërë kryelajm në ballinat e gazetave në rajon.

“Siç duket, të gjitha parlamentet në Ballkan do të nisin hetime në dyshime për korrupsion lidhur me GEN-I më shpejt se ai slloven”, ka thënë Jansha. Ai ka deklaruar se janë në pritje të tri nënshkrimeve për hetim parlamentar që nga maji.

Së fundmi, ndaj Berishajt hetuesit e Policisë së Kosovës ngritën kallëzim penal. Kallëzimi penal kundër tij është dorëzuar në Prokurorinë Speciale treguan burime të KOHËS dhe thanë se pas hetimit preliminar të nisur muaj më parë, dyshimet janë që Berishaj ka përfituar së paku 1.5 milionë euro nga kompania GEN me seli në Serbi për periudhën 2019 e deri në prillin e vitit 2022.

Në Kosovë, partitë opozitare ka kohë që po kërkojnë shkarkimin e Berishajt. Megjithatë, ai ka marrë mbështetje nga pushteti.