Para zgjedhjeve në të dyja shtetet, autoritetet në Slloveni dhe Serbi e ndihmuan njëra-tjetrën në gjetjen e të dhënave me të cilat donin t’i njollosnin politikanët opozitarë, raportoi media sllovene necenzurisano.si.
Raportohet se Sllovenia dhe Serbia kanë bashkëpunuar në mënyrë që të diskreditojnë kundërshtarët politikë në rrethin e brendshëm të tyre.
“Në nëntor 2021, Zyra sllovene për Parandalimin e Pastrimit të Parave hapi hetim kundër dy personave që janë në krye të listës së armiqve politikë të Aleksandër Vuçiqit, Dragan Solak dhe Dragan Dilas. Kjo ndodhi menjëherë pas dy vizitave të drejtorit të kësaj zyre, Damir Zugelj, në Beograd, kjo vizitë ishte zyrtare. Në javët në vijim, Zyra për Parandalimin e Pastrimit të Parave në Serbi do të hapë hetim kundër atëherë drejtorit të ‘Gen-it’ Robert Golob, i cili ishte i pari në favor për t’i fituar zgjedhjeve parlamentare që ashtu si në Serbi, u mbajtën edhe në Slloveni në prill 2022”, ka thënë Primoz Cirman, redaktor i mediumit slloven i cili ka foluar për TV Novan.
Cirman shtoi se ishte një kohë e kontakteve intensive mes palëve sllovene dhe serbe.
“E di që Janez Jansha dhe Aleksandër Vuçiq janë aleatë politikë që u takuan më 1 nëntor 2021 në Glasgow, Vuçiqi ishte në Bled dy muaj para kësaj, dhe në fakt një nga indikacionet më të mëdha se pse ndodhi kështu është sepse të dhënat e marra nga shërbimet financiare serbe ishin lëshuar në fakt tri ditë para zgjedhjeve në Slloveni në një medium në pronësi të një oligarku nga rrethi i Viktor Orbanit, që atëherë ishte pro-qeveritare, Planet TV. Thjesht tregon një lidhje të fortë mes të gjitha atyre veprimeve”, shtoi më tutje ai.
Me emrin e Golobit kohën e fundit është lidhur edhe ai i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Vitin e kaluar Berishaj është akuzuar nga mediat sllovene se është përfshirë në një skandal për shpëlarje parash në Slloveni. Raportohej se kompania e Berishajt, “MB Consulting” i ka marrë 600 mijë euro të cilat gradualisht i ka nxjerrë në para të gatshme e që dyshohet se ia ka kthyer kryeministrit slloven Robert Golobit, që ky pastaj t’i investojë në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet. Berishaj ka mohuar vazhdimisht akuzat, kurse Golobi e ka quajtur trillim.
Çështja e Berishajt është bërë e madhe si në Slloveni ashtu edhe në Kosovë. Mediat sllovene kanë raportuar se çështja e GEN-it mund të jetë shkasi për rrëzimin e qeverisë sllovene.