Shërbimet federale do të preken në mënyra të ndryshme nga mbyllja e qeverisë amerikane e cila ka nisur të mërkurën.
Nëse dëshironi të vizitoni SHBA-në së shpejti, duhet ta planifikoni udhëtimin paraprakisht pasi është shumë e mundur që të hasni disa ndërprerje.
Punonjësit e Kontrollit të Trafikut Ajror dhe Administratës së Sigurisë së Transportit (TSA) konsiderohen "thelbësorë", kështu që do të vazhdojnë të punojnë. Megjithatë, ashtu si me punonjësit e tjerë thelbësorë, ata nuk do të paguhen derisa mbyllja të zgjidhet.
Gjatë mbylljes së fundit, këta punonjës filluan të lajmëroheshin gjithnjë e më shumë si të sëmurë, duke munguar dhe duke çuar në vonesa në aeroport.
Planet e mbylljes së Departamentit të Transportit të SHBA-së përcaktojnë se punësimi dhe trajnimi i kontrollorëve të trafikut ajror do të vazhdojë.
Transporti publik brenda SHBA-së duhet të vazhdojë normalisht.
Shoqata e Pasagjerëve të Hekurudhës ka thënë javën e kaluar se Amtrak dhe sistemet e tranzitit nuk duhet të preken në afat të shkurtër.
Shumica e formave të tjera të transportit publik në SHBA - si autobusët e qytetit, metrotë, trenat e lehtë, tramvajet dhe tragetet, nuk financohen nga qeveria federale dhe kështu do të funksionojnë normalisht.
Atraksionet dhe monumentet do të preken po ashtu.
Një plan emergjence i Departamentit të Brendshëm ka përcaktuar se parqet kombëtare do të mbeten pjesërisht të hapura.
Në Washington DC dhe New Jork, Instituti Smithsonian, i cili zotëron shumë muze si dhe Kopshtin Zoologjik Kombëtar, ka thënë se ka fonde të mjaftueshme për të qëndruar i hapur për një javë.
Sipas Aleancës Amerikane të Muzeve, muzetë e Smithsonian humbën rreth një milion vizitorë gjatë mbylljes së fundit të qeverisë në fund të vitit 2018.
