Mbi 400 persona janë burgosur në Rusi ndërsa po nderonin liderin opozitar Alexei Navalny, që vdiq në një koloni penale në Arktik të premten, ka njoftuar një grup i njohur i të drejtave të njeriut, raporton agjencia “AP”.
Vdekja e papritur e Navalnyt 47-vjeçar, ishte goditje e rëndë për shumë rusë, që kishin pasur shpresat tek ai. Navalny ishte opozitari më i madh i presidentit rus Vladimir Putin.
Qindra persona në dhjetëra qytete ruse dolën të premten e të shtunën në memoriale ad-hoc dhe monumentet e viktimave të represioneve politike për të vendosur qirinj e lule në nder të politikanit të ndjerë.
Në dhjetëra qytete, policia arrestoi 401 persona të shtunën mbrëma, sipas grupit të të drejtave të njeriut OVD-Info
Mbi 200 u arrestuan në St. Petersburg, qytetin e dytë më të madh të Rusisë. Në mesin e të arrestuarve është edhe Grigory Mikhnov-Voitenko, një prift i Kishës Apostolike Ortodokse – një grup fetar i pavarur nga Kisha Ortodokse Ruse.
Gjykata në St. Petersburg ka urdhëruar 42 të paraburgosur të premten të vuajnë nga një deri gjashtë ditë në burg, ndërsa nëntë janë gjobitur. Në Moskë, së paku 6 persona do të vuajnë 15 ditë burgim. Një person është arrestuar në qytetin jugor Krasnodar e dy tjerë në qytetin Bryansk.