Botë

Navalny prehet në varrezat e Moskës

Udhëheqësi i opozitës ruse, Alexey Navalny u varros të premten në një varrezë në Moskë, saktësisht dy javë pasi vdekja e tij u njoftua nga shërbimi i burgjeve të Rusisë.

Të afërmit u mblodhën rreth arkivolit në varrezat e Borisovsky.

Disa video treguan një numër të madh njerëzish që rridhnin drejt vendit të varrimit.

Në Urën e Bratejevskit u krijua një radhë disa qindra metra e gjatë.

Nis varrimi i Alexei Navalnyt

Ka nisur varrimi i liderit opozitar rus, Alexei Navalny.

Pamjet e publikuara nga varreza Borisovskoye tregojnë shumë njerëz duke bërë homazhet e fundit në arkivolin e hapur të liderit të opozitës.

Navalny ka vdekur papritmas më 16 shkurt, në burgun ku po mbahej në Arktik.

Funerali i Navalnyt kalon pa arrestime, pritet varrimi i tij

Asnjë arrestim nuk ka ndodhur gjatë ceremonisë së funeralit të Alexei Navalnyt, derisa arkivoli i tij, tashmë është nisur nga kisha drejt varrezës, ka bërë të ditur ekipi i liderit opozitar rus, dhe grupi i monitorimit të të drejtave, OVD-Info.

Pavarësisht kësaj, të paktën 13 personave u është parandaluar që të lëshojnë shtëpitë e tyre për të ndjekur funeralin, ka bërë të ditur grupi, duke mos e bërë publik identitetin e tyre, raportoi CNN.

Një numër i madh i forcave të policsë ruse është parë që nga mëngjesi rreth kishës ku është mbajtur ceremonia e funeralit.

Publikohet imazhi i parë i Navalnyt të vdekur

Funerali i Alexey Navalnyt është kryer derisa imazhi i parë i trupit të tij të shtrirë në një arkivol - vetëm fytyra e tij me trupin e mbuluar me lule është postuar nga ekipi i Navalny në mediat sociale.

Arkivoli i liderit opozitar rus që vdiq papritmas më 16 shkurt, është nisur drejt varrezës ku do të bëhet varrimi i tij.

Ndërkohë, Kremlini ka paralajmëruar se çdo tubim i paautorizuar për Navalnyn do të nënkuptojë shkelje e ligjit.

Deklarata e tij ka ardhur pasi aleatët e Navalnyt kanë bërë thirrje që njerëzit në qytete të ndryshme të Rusisë të dalin në mbrëmje në mbështetje të tij.

Image

Përfundon funerali në kishë, arkivoli i Navalnynt niset drejt varrezës

Shërbimi i funeralit të Navalnyt në kishë ka përfunduar, ndërkaq arkivoli i tij është nisur drejt varrezës, ka shkruar në rrjetet sociale bashkëpunëtori i tij, Ivan Zhdanov.

Ai i ka inkurajuar njerëzit që të ecin drejt varrezës, e cila është rreth një orë e gjysmë larg kishës ku është mbajtur funerali.

Prindërit e Navalnyt hyjnë në kishën ku po mbahet funerali i djalit të tyre

Prindërit e Alexei Navalnyt, Anatoliy dhe Lyudmila, janë parë duke hyrë brenda kishës për të ndjekur nga afër shërbimin e funeralit të djalit të tyre.

Asnjëri nga ata nuk ka bërë ndonjë koment para se të hyjnë në kishë.

Ekipi i Navalnyt ka deklaruar se nuk janë në dijeni se çfarë po ndodh brenda kishës, ku arkivoli i tij është futur brenda para pak minutash.

“Navalny u vra nga Putini” – mesazhi i ekipit të tij në ditën e varrimit

Derisa ka nisur funerali i liderit opozitar rus, Alexei Navalny, në një kishë në Moskë, faqet në rrjetet sociale të ekipit të tij, janë mbushur me mesazhe ku shkruhet “Putini e ka vrarë Alexei Navalnyn”.

Shumë liderë perëndimor e kanë akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin, për vdekjen e tij, një akuzë që është mohuar nga Kremlini.

Ekipi i Navalnyt ka bërë të ditur se nuk e dinë se çka po ndodh brenda kishës ku do të mbahet ceremonia e funeralit të tij, tash kur trupi i liderit opozitar është futur brenda.

Arkivoli i Navalnyt mbërrin te kisha

Kamioni që po bart arkivolin e liderit opozitar rus, Alexei Navalny, ka mbërritur te kisha ku do të mbahet ceremonia e funeralit.

Ndërsa makina që mbante arkivolin e Navalnyt mbërriti në kishë, turmat jashtë dëgjoheshin duke duartrokitur.

“Ju nuk kishit frikë dhe ne nuk kemi frikë”, thërrisnin njerëzit, ndërsa arkivoli është futur brenda kishës për shërbimin mortor.

Ekipi i Navalnyt ka thënë se po kanë probleme me qasjen në internet në pjesën ku do të mbahet ceremonia.

VIDEO:

Forca të shtuara policore te kisha ku do të mbahet funerali i Navalnyt

Një prezencë e shtuar e policisë është parë të premten rreth kishës në juglindje të Moskës, ku do të zhvillohet ceremonia e varrimit të liderit opozitar rus, Alexei Navalny.

Prezencë e madhe është parë edhe afër varrezës ku do bëhet varrimi.

Navalny vdiq më 16 shkurt në burgun ku po mbahej. Familja e Navalnyt ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin, për vrasjen e tij. Mirëpo Kremlini e ka mohuar këtë, derisa autoritetet ruse e kanë detyruar nënën e Navalnyt që ta nënshkruajë certifikatën e vdekjes, në të cilën thuhej se ai ka vdekur nga shkaqe natyrore.

Njerëzit fillojnë të mblidhen për funeralin e Navalnyt

Njerëzit kanë filluar të mblidhen të enjten jashtë Kishës në Maryino, ku gjatë ditës do të zhvillohet ceremonia mortore e Alexei Navalnyt. 

Navalny vdiq më 16 shkurt në burgun rus brenda Rrethit Arktik. Ai po vuante një dënim të gjatë për akuza të motivuara politikisht, raportoi BBC.

Ekipi i tij thotë se ata vazhdojnë të përballen me vështirësi në organizimin e ceremonisë së lamtumirës.

Zëdhënësja e tij, Kira Yarmysh ka thënë se ata nuk kanë mundur të gjejnë një makinë për ta çuar trupin në kishë.

Ceremonia e lamtumirës do të kryhet në mëngjes, e ndjekur nga shërbimi i varrimit në orën 14:00 dhe varrimi në orën 16:00.