Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Mbi 1.700 mbështetës të Navalnyt u arrestuan në protestat nëpër Rusi

Më shumë se 1.700 protestues janë arrestuar të mërkurën nga policia ruse në të gjithë vendin gjatë protestave për lirimin e liderit të burgosur të opozitës, Alexei Navalny.

Protestat mbarëkombëtare u mbajtën vetëm disa ditë pasi autoritetet ruse filluan procedurat për të mbyllur Fondacionin Kundër Korrupsionit të Navalnyt (FBK), me pretendimin se ajo është një organizatë "ekstremiste".

Për shumë vite, FBK e Navalnyt e ka tronditur Kremlinin me hetimet e saj për pasurinë e pashpjegueshme të zyrtarëve të lartë, përfshirë atë të presidentit rus, Vladimir Putin.

"Është e qartë pse kemi ardhur sot. Ne duam liri për Navalnyn", i tha REL-it, Evgeny Fartuk, një inxhinier 35-vjeçar i cili iu bashkua protestës në Moskë.

Organizata Human Rights Watch (HRW) më 22 prill dënoi goditjen ndaj protestuesve.

Edhe Protestat që po e shkundin pushtetin e Putinit Botë Protestat që po e shkundin pushtetin e Putinit

“Krahasuar me protestat në janar dhe shkurt, në ato të 21 prillit kishte më pak dhunë nga ana e policisë, por goditja e vazhdueshme e autoriteteve ndaj lirisë së tubimit është plotësisht e pajustifikuar", tha Damelya Aitkhozhina nga Human Rights Watch.

Navalny gjendet në burg dhe gjendja e tij shëndetësore është e përkeqësuar.

Ekipi i Navalnyt organizoi protesta në më shumë se 160 qytete ruse për të tërhequr vëmendjen për gjendjen e tij shëndetësore. Protestuesit kërkojnë që autoritetet e burgut t’ia mundësojnë mjekimin nga ana e mjekëve të pavarur.

Më 19 prill, Alexei Liptser, avokati i Navalnyt, i cili është në grevë urie tash e tri javë, ka thënë se klienti i tij duket “keq”, duke rritur shqetësimet për shëndetin e tij.

Navalny u arrestua më 17 janar pas kthimit të tij në Rusi nga Gjermania, ku ai mori trajtim pas helmimit në Siberi në muajin gusht.

Ai ka insistuar që helmimi i tij me një agjent nervor Noviçok ishte urdhëruar direkt nga presidenti rus Vladimir Putin. Kremlini ka mohuar çdo rol në helmim.

Edhe Dhjetëra të arrestuar në protestat e mbështetësve të Navalnyt Botë Dhjetëra të arrestuar në protestat e mbështetësve të Navalnyt

Në shkurt, një gjykatë në Moskë vendosi që Navalny kishte shkelur kushtet e një lirimi me kusht nga një vendim i mëhershëm gjyqësor. Gjykata vendosi se ai duhet të kryejë pjesën tjetër të burgut.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë lidhur me çështjen Navalny dhe shtypjen e protestuesve. \ Rel