Botë

Opozitari rus, Alexei Navalny, dënohet edhe me 19 vjet burgim

47-vjeçari Navalny është armiku më i madh i presidentit Putin brenda Rusisë dhe ka ekspozuar aferat korruptuese të zyrtarëve rusë. Ai gjithashtu ka organizuar protestat më masive kundër Kremlinit. Navalny ishte arrestuar në janarin e vitit 2021 pas kthimit në Moskë nga Gjermania, shtetin evropian në të cilin po shërohej nga helmimi me agjent nervor. Për këtë helmim ai kishte fajësuar Kremlinin.

Gjykata ruse ia ka vazhduar burgimin edhe për 19 vjet liderit opozitar, Alexei Navalny, i cili ishte duke vuajtur dënimin me nëntë vjet për akuza, të cilat, sipas tij, janë të motivuara politikisht.

Akuzat e reja që iu lexuan të premten kanë të bëjnë me aktivitetet e Navalnyt me fondacionin e tij kundërkorrupsionit dhe deklaratat nga të afërmit e tij. Ky ishte dënimi i tij i pestë. Përkrahësit e tij dënimet i shohin si strategji të Kremlinit për të heshtur një prej kundërshtarëve më të mëdhenj të regjimit të presidentit Vladimir Putin.

Prokuroria ruse kishte kërkuar 20 vjet burgim, ndërkaq vetë politikani priste që dënimi të jetë afatgjatë. Ai po vuan dënimin me nëntë vjet burgim për mashtrim dhe pengim të gjykatës. Në vitin 2021, ai gjithashtu ishte dënuar me dy vjet e gjysmë burgim për shkelje të lirimit me kusht. Gjykimi për ekstremizëm është mbajtur me dyer të mbyllura në një koloni penale në lindje të Moskës, në të cilën ai është duke vuajtur dënimet.

Navalny është paraqitur në gjykatë të premten pasdite, duke mbajtur kostumet e të burgosurit dhe dukej thatanik, por ishte i buzëqeshur. Teksa gjykatësi lexonte vendimin, politikani ka qëndruar përkrah avokatëve dhe me shprehje serioze në fytyrë.

47-vjeçari Navalny është armiku më i madh i presidentit Putin brenda Rusisë dhe ka ekspozuar aferat korruptuese të zyrtarëve rusë. Ai gjithashtu ka organizuar protestat më masive kundër Kremlinit. Navalny ishte arrestuar në janarin e vitit 2021 pas kthimit në Moskë nga Gjermania, shtetin evropian në të cilin po shërohej nga helmimi me agjent nervor. Për këtë helmim ai kishte fajësuar Kremlinin.

Aleatët e Navalnyt kanë thënë se akuzat për ekstremizëm kanë kriminalizuar në mënyrë retroaktive të gjitha aktivitetet e fondacionit kundër korrupsionit që nga krijimi i tij në vitin 2011. Në vitin 2021, autoritetet ruse i kanë shpallur fondacionin dhe rrjetin e gjerë të zyrave të Navalnyt nëpër rajonet ruse si organizata ekstremiste, duke i rrezikuar të gjithë opozitarët.

Një prej më të afërmve të Navalnyt, Daniel Kholodny, ka qëndruar përkrah tij, pasi ishte zhvendosur nga një burg tjetër. Prokuroria ka kërkuar 10 vjet burgim për opozitarin tjetër.

Navalny i ka mohuar të gjitha akuzat dhe i ka cilësuar si të motivuara politikisht. Ai ka akuzuar Kremlinin se dëshiron ta mbajë në burg përjetë.

Pak para se t’i lexohej vendimi, Navalny ka publikuar një komunikatë në rrjetet sociale. Këtë komunikatë e ka publikuar ekipi i tij. Ai ka thënë se priste që dënimi të jetë “i madh... në termin Stalinist”, duke iu referuar diktatorit sovjetik, Joseph Stalin.

Në këtë komunikatë, Navalny u ka bërë thirrje rusëve që të rezistojnë dhe t’i përkrahin të burgosurit politikë. Ai ka thënë se rusët duhet të gjejnë mënyra më të sigurta për të rezistuar, duke shtuar se “është turp që të mos veprosh. Është turp që të lejosh veten të poshtërohesh”.

Politikani po vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë “Kolonia Penale nr.6” në qytetin Melekhovo, rreth 230 kilometra në lindje të Moskës. Muajt e fundit i ka kaluar në qelinë për një person, e cila quhet “qelia e ndëshkimit”. Ai ka shkelur masat disiplinore, siç janë mosprezantimi para rojave ose larja e fytyrës në kohë të caktuar.