Botë

Vazhdojnë protestat në Izrael, Netanyahut i bëhet thirrje të bëjë marrëveshje për lirim të pengjeve

Protesta në Jerusalem

Foto: Associated Press

Mijëra qytetarë izraelitë protestuan rrugëve të Tel Avivit dhe Jerusalemit duke kërkuar përfundimin e luftës në Gaza dhe lirimin e pengjeve që ende mbahen në Gaza nga Hamasi.

Në protestën në sheshin "Paris" në Jerusalem, morën pjesë edhe familjarë të pengjeve, duke i bërë thirrje të drejtpërdrejta kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që ta pranojë një marrëveshje për pengjet, shkruan BBC.

Prej 251 personave të rrëmbyer nga Hamasi më 7 tetor 2023, 48 ende mbahen peng në Gaza, dhe besohet se rreth 20 janë ende gjallë.

Netanyahu këmbëngul se fitimi i plotë i luftës kundër Hamasit do të sjellë lirimin e tyre, por shumë kritikë, përfshirë ish-udhëheqës ushtarakë e disa gjeneralë aktual, mendojnë se fushata ushtarake ka arritur kufijtë e mundshëm, dhe vazhdimi i saj rrezikon jetën e pengjeve dhe përkeqëson krizën humanitare në Gaza.

Ndërkohë forcat izraelite kanë rrëzuar tri ndërtesa të larta në Gaza gjatë tri ditëve të fundit, me pretendimin se përdoreshin nga Hamasi si qendra komanduese.

Banorët u urdhëruan të largoheshin para sulmeve, por nuk ka më zona realisht të sigurta në Gaza. Edhe zona e al-Mawasi, e quajtur “zonë humanitare”, është goditur disa herë.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit është raportuar për 87 të vrarë në sulme ajrore, ndërsa pesë persona kanë humbur jetën nga uria dhe kequshqyerja, duke përfshirë tre fëmijë.

Danimarka dhe shtete të tjera evropiane kanë bërë thirrje për ndërprerjen e operacioneve ushtarake.

Por Izraeli i ka shpërfillur këto thirrje si dhe ka kundërshtuar njohjen e shtetësisë palestineze, duke paralajmëruar pasoja të rënda diplomatike.

Po ashtu edhe ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, ka paralajmëruar pasoja nëse Perëndimi njeh shtetësinë palestineze duke mos përjashtuar aneksimin e mëtejshëm të Bregut Perëndimor.

Në rrjedhën e krizës humanitare në Gaza, presioni i brendshëm në Izrael dhe ai ndërkombëtar ndaj qeverisë së Netanyahut po rritet. Megjithatë, Qeveria izraelite vazhdon të mbajë një qëndrim të fortë ushtarak dhe politik, ndërsa shumë në vendin e tyre mendojnë se vazhdimi i luftës është çnjerëzore.

Protesta kundër luftës së Izraelit në Gaza ka pasur në vazhdimësi dhe në shumë qytete të botës.