Venezuela ka ndaluar fluturimet nga Kolumbia me efekt të menjëhershëm, pas arrestimit të 38 personave – përfshirë shtetas të huaj – të dyshuar për përfshirje në një komplot të ashtuquajtur “anti-qeveritar”, vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare dhe rajonale në vend. Presidenti venezuelian Nicolas Maduro ka pretenduar se pjesë e këtij komploti është edhe mafia shqiptare, transmeton “Telesur”.
Ministri i Brendshëm venezuelian, Diosdado Cabello, deklaroi në televizionin shtetëror se ndalimi i fluturimeve do të zgjasë përtej datës 25 maj, kur qytetarët do të votojnë për guvernatorë dhe anëtarë të Asamblesë Kombëtare.
Sipas Cabellos, të ndaluarit – 21 venezuelianë dhe 17 të huaj, përfshirë shtetas nga Kolumbia, Meksika dhe Ukraina – dyshohet se kishin planifikuar sulme me eksploziv në ambasada dhe objekte të tjera në Venezuelë. Ai shtoi se disa nga të ndaluarit ishin ekspertë në pajisje shpërthyese, trafikim njerëzish dhe mercenarë, të lidhur me opozitën në Venezuelë.
Por një tjetër pretendim u ngrit më vonë nga presidenti Nicolas Maduro. Në një takim televiziv me drejtues të ushtrisë dhe forcave të sigurisë, ai deklaroi se në këtë komplot ishin të përfshirë edhe anëtarë të një organizate kriminale shqiptare, e cila operon në trafikun e drogës në Ekuador.
“Ky rrjet ndërkombëtar kriminal, që përfshin edhe mafian shqiptare të drogës në Amerikën Latine, ka bashkëpunuar me elementë të opozitës për të destabilizuar Venezuelën dhe për të penguar procesin zgjedhor”, u shpreh Maduro.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë ofruar prova publike për lidhjet e pretenduara, ndërsa grupet e të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësime për përdorimin e çështjeve të sigurisë për shtypjen e kundërshtarëve politikë.