Prokurorët në New York pritet të ngrenë akuza të reja ndaj ish-presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe gruas së tij, Cilia Flores, lidhur me torturimin e dyshuar të amerikanëve që janë mbajtur në paraburgim nga qeveria venezueliane gjatë viteve të fundit, sipas disa personave në dijeni të hetimit.
Akuzat e reja lidhen me atë që qeveria amerikane e ka cilësuar si ndalim të paligjshëm të më shumë se 10 shtetasve amerikanë në burgjet venezueliane gjatë kohës që Maduro drejtonte një regjim represiv në Venezuelë, raporton CNN.
Hetuesit kanë diskutuar gjithashtu mundësinë e ngritjes së akuzave ndaj disa personave të tjerë për rolin e tyre të dyshuar në torturimin e amerikanëve, sipas një burimi në dijeni të çështjes.
Akuzat për torturë
Më shumë se 10 amerikanë u ndaluan nga qeveria e Maduros, e cila u akuzua nga qeveria amerikane dhe organizatat e të drejtave të njeriut se i përdorte ata si pengje politike.
Edhe
Si do të përpiqen avokatët e Maduros të përmbysin çështjen ndaj tij
Disa prej amerikanëve kanë folur publikisht për torturat që pretendojnë se kanë përjetuar gjatë burgimit.
Matthew Heath dhe Osman Khan, të cilët u liruan në një shkëmbim të të burgosurve në tetor 2022, pretenduan në një padi gjyqësore se iu nënshtruan zhytjes së detyruar në ujë, goditjeve elektrike e kërcënimeve për sulm seksual. Heath, një veteran i Trupave të Marinës amerikane, tentoi të vetëvritej gjatë kohës që ishte i ndaluar.
Edhe “CITGO 6”, një grup prej gjashtë drejtuesish amerikanë të kompanisë së naftës, të cilët u bindën të shkonin në Venezuelë në vitin 2017 dhe u mbajtën atje për gati pesë vjet, kanë deklaruar se iu nënshtruan kushteve brutale gjatë paraburgimit.
Në paditë e ngritura kundër punëdhënësit të tyre, Citgo, Tomeu Vadell, Alirio Jose Zambrano dhe Jose Luis Zambrano deklaruan se ishin torturuar gjatë burgimit.
Të gjithë ata ishin mbajtur në Drejtorinë e Përgjithshme të Kundërzbulimit Ushtarak (DGCIM), e cila, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, ishte “përgjegjëse për ndalime arbitrare, keqtrajtime dhe tortura ndaj kundërshtarëve politikë dhe familjarëve të tyre.”
Raporti konstatoi se DGCIM përdorte në mënyrë të përsëritur metoda torture, përfshirë goditjet elektrike, rrahjet, dhunën seksuale, privimin nga uji dhe ushqimi, pozicionet stresuese të trupit dhe ekspozimin ndaj temperaturave ekstreme, me qëllim marrjen e informacionit dhe rrëfimeve, frikësimin dhe ndëshkimin e të ndaluarve.
Maduro dhe gruaja e tij u kapën gjatë një operacioni ushtarak amerikan në janar, në pallatin presidencial në Karakas. Ata janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave për komplot për narkoterrorizëm dhe akuzave të tjera, dhe po mbahen në Nju Jork pa mundësi lirimi me kusht.
Flores pritet të paraqitet në një seancë gjyqësore të enjten, ku avokati i saj do të kërkojë që ajo të kalojë në arrest shtëpie deri në fillimin e gjyqit.
Edhe
Maduro transferohet në gjykatën e New Yorkut, përballet me akuza për narko-terrorizëm
Avokati i Maduros po kundërshton ligjshmërinë e arrestimit dhe argumenton se ish-presidenti duhet të ketë imunitet, pasi veprimet e pretenduara kanë ndodhur gjatë kohës që ai ishte në detyrë.
Qeveria venezueliane nuk po pretendon imunitet në emër të tij, sipas prokurorisë.