Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se uniteti i Evropës ka funksionuar kundër kërcënimeve të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, raporton "The Guardian".
Ai ka thënë se takimi i liderëve evropianë i të enjtes në mbështetje të Danimarkës demonstron këtë.
“Kur Evropa është e bashkuar, e fortë dhe reagon shpejt, gjërat kthehen në normalitet dhe qetësi”, tha Macron.
Por, ai ka shtuar se Evropa duhet të qëndrojë “vigjilente” dhe të vazhdojë të veprojë në “mënyrë të bashkuar”, duke treguar se ka “instrumente në dispozicion” nëse kërcënohet.
Ai gjithashtu tha se Franca është e hapur të marrë pjesë në më shumë misione të NATO-s, edhe në Arktik.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar tetë shtete evropiane me tarifa, përfshirë Francën, për shkak të Grenlandës.
Por, të mërkurën ai hoqi dorë nga vendosja e tarifave duke filluar nga 1 shkurti.
Ai kishte kërcënuar me tarifë 10% ndaj Danimarkës, Norvegjisë, Suedisë, Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Holandës dhe Finlandës nga 1 shkurti dhe kishte kërcënuar gjithashtu se do t’i rriste tarifat në 25% nga 1 qershori.
E shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë se marrëdhëniet transatlantike kanë marrë goditje të rëndë javën e fundit, por tha se Evropa nuk është e gatshme të heqë dorë nga dekada partneritet me SHBA-në.
Ajo ka folur në takimin joformal të liderëve të BE-së të mbajtur në Bruksel.