Botë

Macron dakordohet me presidentin iranian për të shpejtuar negociatat mes Evropës dhe Iranit

Emmanuel Macron

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar të shtunën se gjatë bisedës telefonike me homologun iranian, Masoud Pezeshkian, janë dakorduar për të shpejtuar dhe lehtësuar negociatat ndërmjet fuqive evropiane dhe Iranit rreth çështjes së programit bërthamor të vendit persik, ka shkruar The Guardian.

Macron ka thënë se i ka shprehur “shqetësime të thella” Pezeshkianit sa i përket programit bërthamor iranian.

“Gjithashtu shpreha shqetësimin tim të thellë për programin bërthamor të Iranit. Edhe këtu, qëndrimi im është i qartë: Irani nuk duhet të pajiset kurrë me armë bërthamore, dhe i takon Iranit të japë garanci të plota se synimet e tij janë paqësore”, ka shkruar Macron.

“Jam i bindur se ekziston një shteg që i jep fund luftës dhe i shmang rreziqet më të mëdha. Për ta arritur këtë, ne do të përshpejtojmë negociatat e udhëhequra nga Franca dhe partnerët e saj evropianë me Iranin”, ka vazhduar ai.

Macron ka shtuar gjithashtu se i kishte përsëritur presidentit iranian kërkesën për lirimin dhe kthimin në Francë të dy shtetasve francez Cecile Kohler dhe Jacques Paris, duke e cilësuar ndalimin e tyre si “çnjerëzor” dhe “të padrejtë”.

Çifti ishte arrestuar në aeroportin e Teheranit në maj të vitit 2022, ndërsa prisnin të ktheheshin nga një pushim 14-ditor.

Ata janë akuzuar gjithashtu për spiunazh dhe po mbahen në burgun famëkeq Evin të Teheranit, në të cilin vuajnë dënimin turistë perëndimorë, persona me nënshtetësi të dyfishtë dhe të burgosur politikë që shpeshherë përdoren nga Teherani si mjet presioni në negociatat me Perëndimin.

Lexo përditësimet tjera
Çfarë ka ndodhur ditë pas dite në luftimet Iran-Izrael

Sulmet Izrael – Iran vazhdojnë edhe në ditën e nëntë