Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Lufta në Ukrainë thellon krizën e furnizimit me drithëra

Bashkimi Evropian ka ngritur alarmin për ndikimin e bllokimit të grurit në vlerë prej tetë miliardë eurosh në Ukrainë. Ekspertët paralajmërojnë krizë të ushqimit nëse Rusia nuk lejon eksportimin e grurit nga portet detare të Ukrainës

Odesë/Kiev, 10 maj (AP) - Presidenti i Bankës Evropiane të Investimeve ka thënë të martën se Ukraina nuk po mund të eksportojë grurë në vlerë prej tetë miliardë eurosh për shkak të luftës dhe mungesës së qasjes së eksportuesve në portet detare.

Gjatë një konference për media në selinë e Komisionit Evropian, Werner Hoyer ka thënë se është vendimtare zhbllokimi i porteve të vendit në luftën për tregtinë botërore të furnizimit me drithëra.

Sulme në Odesë

“Ata nuk po mund ta eksportojnë, ata nuk kanë qasje në det. Kjo është një prej çështjeve kryesore që duhet ta adresojmë, sepse bëhet fjalë për shumë njerëz”, ka theksuar Werner Hoyer, president i Bankës Evropiane të Investimeve. “Ata po mbjellin si të çmendur dhe ata mbase presin të ketë korrje të suksesshme, të krahasueshme me 70 për qind të vitit të kaluar, dhe pastaj çfarë do të bëjnë me drithin? Andaj këto janë çështje që duhet të adresohen menjëherë, pos nevojave shoqërore dhe problemeve të përditshme me të cilat po përballen qytetarët ukrainas”.

Porti i Odesës është bombarduar nga raketat hipersonike ruse. Është raportuar për një person të vrarë dhe pesë të tjerë të plagosur kur një nga bombat ra në një qendër dhe depo tregtare.

Edhe Rusia intensifikon sulmet mbi Ukrainë, gjashtë të vdekur Botë Rusia intensifikon sulmet mbi Ukrainë, gjashtë të vdekur

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka paralajmëruar se bllokada ruse e porteve ukrainase kërcënon furnizimin botëror me ushqim.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili u detyrua të strehohej derisa po qëndronte në Odesë, ka paralajmëruar se sasi të mëdha drithërash janë bllokuar në depot e mëdha të Ukrainës.

Të dhënat e fundit tregojnë se mijëra njerëz më shumë janë vrarë sesa ishte menduar në Ukrainë, ka bërë të ditur misioni i OKB-së që monitoron gjendjen në terren.

Rusia po e humb luftën

“Rusia nuk e ka fituar luftën, ka nisur ta humbë atë. Shenjat tregojnë se rusët po përballen me tërheqje të mëdha dhe me probleme edhe për realizimin e objektivave më të kufizuara se ato që ia kishin vënë vetes në Ukrainën lindore”, ka deklaruar Nigel Davies, ish-ambasador britanik në Bjellorusi.

Njëherësh, forcat ruse, të mbështetura nga tanket, po kryejnë operacione artilerie në Fabrikën e çelikut në Mariupol, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës.

Janë më shumë se një mijë luftëtarë ukrainas në fabrikën “Azovstal”, përfshirë edhe qindra të plagosur.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, u zotua të martën se komuniteti ndërkombëtar do të kërkojë përgjegjësi për vrasjen e civilëve në qytetin ukrainas Bucha. Duke folur teksa vizitonte qytetin në periferi të Kievit, Baerbock tha se gjatë udhëtimit të saj kishte parë "gjurmën më të tmerrshme të krimeve". Dëshmitarët kanë treguar se si ushtarët rusë synonin civilët në dukje rastësisht, duke i lënë trupat e tyre të shtrirë në rrugë pas tërheqjes së tyre më 31 mars.

“Ne u detyrohemi këtyre viktimave që jo vetëm t'i përkujtojmë këtu, por të kërkojmë përgjegjësi nga autorët”, tha Baerbock. "Dhe kjo është ajo që ne do të bëjmë si komunitet ndërkombëtar. Ky është premtimi që mund dhe duhet të bëjmë këtu në Bucha”.

Baerbock është anëtarja e parë e Qeverisë gjermane që viziton Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus në fund të shkurtit.

Edhe Arrihet marrëveshja për përshpejtimin e eksportit të grurit përmes Ukrainës, Polonisë dhe Lituanisë Botë Arrihet marrëveshja për përshpejtimin e eksportit të grurit përmes Ukrainës, Polonisë dhe Lituanisë

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, përsëriti thirrjet e tij për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, pasi vizitoi një qendër në Moldavi për refugjatët.

"Kjo tragjedi tregon se lufta është një gjë e pakuptimtë dhe se kjo luftë ndalet”, u tha gazetarëve jashtë qendrës “Moldexpo” pasi dëgjoi histori nga ata që kishin ikur nga konflikti. “Nuk ka zgjidhje ushtarake për problemet me të cilat po përballemi, duhet absolutisht ta ndalojmë këtë luftë dhe absolutisht duhet të shohim të mbizotërojë e drejta ndërkombëtare”, theksoi ai.

Qindra mijëra njerëz kanë kaluar në Moldavinë fqinje për të ikur nga luftimet. OKB-ja vlerëson se numri i refugjatëve në Moldavi mund të rritet në një milion njerëz deri në fund të vitit.

Përgatiti: Rexhep Maloku

--------------------boks----------

T: BE-ja ndihmon Hungarinë e varur nga nafta ruse

Krahu ekzekutiv i BE-së është i gatshëm të ndihmojë Hungarinë dhe vendet e tjera që janë veçanërisht të varura nga nafta ruse, tha të martën zëdhënësi i Komisionit të BE-së, Eric Mamer.

“Ne në propozimet tona kishim bërë propozime specifike në lidhje me afatet kohore të diferencuara që korrespondojnë me situata të ndryshme të vendeve specifike”, tha Mamer. “Dhe ky është pa dyshim një nga variablat, sepse pa dyshim nëse po flisni për investime në përmirësimin e infrastrukturës, ju duhet kohë”.

Mamer tha se presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, ishte ftuar nga kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, në Budapest. Ai tha se ata u përpoqën të identifikonin zgjidhjet dhe të zgjidhnin "shqetësimet legjitime" të Hungarisë kur bëhet fjalë për furnizimet me naftë. Ata nuk folën për afate specifike kohore, tha ai.

Edhe OKB-ja i kërkon Rusisë të rinovojë marrëveshjen e grurit me Ukrainën Botë OKB-ja i kërkon Rusisë të rinovojë marrëveshjen e grurit me Ukrainën

"Ne e pranojmë se Hungaria dhe vendet e tjera që janë pa dalje në det dhe kanë varësi të konsiderueshme energjetike nga furnizimet me naftë ruse janë në një situatë shumë specifike, që kërkon që ne të gjejmë zgjidhje specifike”, tha Mamer.

Ndër çështjet specifike me të cilat përballet Hungaria, Mamer përmendi infrastrukturën e transportit të naftës. Mamer tha se Hungaria ka nevojë për kapacitetin e duhur të tubacionit për t'u lidhur me burime të tjera nëse nafta ruse ndalohet. Ai tha se ruajtja e infrastrukturës së naftës dhe e rafinerisë janë çështje të tjera të ndjeshme.