Njerëzit kryesisht komunikojnë në rusisht në Kherson. Në fillim të luftës, disa banorë atje ishin tolerantë ndaj fqinjëve që simpatizonin Rusinë, por gjatë nëntë muajve të fundit ka pasur ndryshim të dukshëm, thotë farmacistja Smoliana. “Më vjen turp të flas rusisht”, shton ajo. “Ata na shtypën emocionalisht dhe fizikisht”
Një javë që nga çlirimi i qytetit jugor të Ukrainës, Kherson, banorët nuk mund t'u shpëtojnë kujtimeve të tetë muajve të tmerrshëm që kaluan nën pushtimin rus: njerëz të zhdukur, mina kudo, dyqane dhe restorante të mbyllura, mungesë të energjisë elektrike dhe ujit - dhe shpërthime ditë e natë teksa forcat ruse dhe ukrainase vazhdojnë luftimet pikërisht përtej lumit Dnieper.
Pavarësisht këtyre vështirësive, banorët e Khersonit po shprehin përzierje lehtësimi, optimizmi dhe madje gëzimi - jo më pak për shkak të lirisë së tyre të rifituar për t'u shprehur fare.
“Edhe frymëmarrja u bë më e lehtë. Gjithçka është ndryshe tani”, thotë Olena Smoliana, farmaciste, sytë e së cilës shkëlqenin nga lumturia teksa kujtonte ditën kur ushtarët ukrainas hynë në qytet.
Popullsia e Khersonit është tkurrur në rreth 80 mijë nga niveli i paraluftës kur kishte 300 mijë banorë, por qyteti dalëngadalë po gjallërohet. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ecte triumfalisht në rrugë të hënën, duke përshëndetur tërheqjen e Rusisë - disfatë poshtëruese për presidentin rus Vladimir Putin - si “fillim i përfundimit të luftës”.
Njerëzit nuk kanë më frikë të largohen nga shtëpia, ose nuk shqetësohen se kontakti me ushtarët rusë mund të çojë në një qeli burgu ose torture. Ata po mblidhen në sheshet e qytetit - të stolisur me shirita verdheblu në çantat dhe xhaketat e tyre - për të rimbushur telefonat, për të mbledhur ujë ose për të folur me fqinjët dhe të afërmit.
Edhe
Rrëfimet e grave ukrainase për dhunën seksuale nga ushtarët rusë
“Nëse i mbijetuam okupimit, do ta mbijetojmë këtë pa asnjë problem”, thotë Yulia Nenadyschuk, 53 vjeç, e cila ishte ngujuar në shtëpi me burrin e saj, Oleksandr, që nga fillimi i pushtimit rus, por tani vjen në qendër të qytetit çdo ditë.
Privimi më i keq ishte mungesa e lirisë për të qenë vetvetja, që ishte si të ishe në një “kafaz”, thotë ajo.
“Nuk mund të thuash asgjë me zë të lartë, nuk mund të flasësh ukrainisht”, thotë Oleksandr Nenadyschuk, 57 vjeç. “Ne ishim vazhdimisht të vëzhguar, as nuk mund të shikonit përreth”.
“Terrori i heshtur”
Banorët e Khersonit flasin për “terrorin e heshtur” që përcaktoi pushtimin e tyre, i cili ishte ndryshe nga rrethimi shkatërrues ushtarak që i ktheu qytetet e tjera të Ukrainës - si Mariupoli, Sievierodonetsku dhe Lysychansku - në gërmadha.
Forcat ruse hynë në Kherson në ditët e para të luftës nga Krimea e afërt, të cilën e aneksuan ilegalisht në vitin 2014 dhe menjëherë pas kësaj, ajo u pushtua.
Njerëzit kryesisht komunikojnë në rusisht në Kherson. Në fillim të luftës, disa banorë atje ishin tolerantë ndaj fqinjëve që simpatizonin Rusinë, por gjatë nëntë muajve të fundit ka pasur ndryshim të dukshëm, thotë farmacistja Smoliana. “Më vjen turp të flas rusisht”, shton ajo. “Ata na shtypën emocionalisht dhe fizikisht”.
Shumë njerëz u larguan nga qyteti, por disa u zhdukën.
Khrystyna Yuldasheva, 18 vjeç, punon në një dyqan përballë një ndërtese që policia ruse përdorte si qendër ndalimi dhe ku zyrtarët ukrainas po hetojnë akuzat për torturë dhe abuzim. “Nuk ka më njeri këtu”, i thotë ajo një gruaje që erdhi së fundmi duke kërkuar djalin e saj.
Të tjerë kërkuan të largoheshin, por nuk mundën. “Ne u përpoqëm të largoheshim tre herë, por ata i mbyllën të gjitha daljet e mundshme nga qyteti”, thotë Tetiana, 37 vjeç, e cila nuk donte të identifikohej me mbiemrin e saj.
Kur ushtarët rusë u tërhoqën më 11 nëntor nga Khersoni, i vetmi kryeqytet rajonal të cilin Moska e pushtoi që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt. Rusët lanë një qytet pa infrastrukturë bazë - ujë, energji elektrike, transport ose komunikim.
Edhe
Çdo hap mund të jetë i fundit: Jeta nën dronët rusë në Kherson
Produktet ruse mund të gjenden ende në dyqane të vogla që mbijetuan nga pushtimi. Dhe qyteti është ende i stolisur me pankarta që reklamojnë propagandën ruse si “ukrainasit dhe rusët janë komb i vetëm”, ose që inkurajojnë ukrainasit të marrin pasaportën ruse. (Disa njerëz mallkojnë me zë të lartë kur kalojnë pranë tyre.)
Shumë dyqane, restorante dhe hotele janë ende të mbyllura dhe shumë njerëz janë pa punë. Por banorët ia mësyjnë qendrës së qytetit që prej javës së kaluar shkaku i kamionëve me ushqime nga zinxhirët ukrainas të supermarketeve që kanë mbërritur dhe pikat e internetit që janë ngritur. Ndërsa njerëzit ishin euforikë menjëherë pas tërheqjes ruse, Kherson mbetet qytet në pritje.
Shumë mina
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, pengesë e madhe për kthimin e banorëve në Kherson dhe për përpjekjet e rindërtimit, do të jetë heqja e të gjitha minave që rusët vendosën brenda zyrave administrative dhe rreth infrastrukturës kritike.
“Çminimi është i nevojshëm këtu për ta rikthyer jetën”, thotë Mary Akopian, zëvendësministre e Punëve të Brendshme të Ukrainës. Ajo thotë se Khersoni ka një problem më të madh me minat se çdo qytet tjetër që Ukraina ka çliruar nga rusët, sepse ka qenë nën okupim për periudhën më të gjatë kohore.
Ajo vlerësoi se do të duheshin vite për të pastruar plotësisht minat nga qyteti i Kherson dhe zonat përreth. Tashmë, 25 njerëz kanë vdekur duke pastruar minat dhe eksplozivët e tjerë të lënë pas në Kherson, dhe dhjetëra civilë që nxituan të ktheheshin në shtëpi u vranë nga minat.
Para se të tërhiqeshin, ushtarët rusë plaçkitën nga dyqanet dhe bizneset - madje edhe muzetë. Qeveria ukrainase vlerëson se 15 mijë artefakte janë vjedhur nga muzetë në rajonin Kherson dhe janë dërguar në Krimenë e afërt.
“Nuk ka asgjë atje”, shkroi Kyrylo Tymoshenko, zyrtar i lartë në zyrën e Zelenskyt. “Rusët vranë, minuan dhe grabitën të gjitha qytetet dhe qytezat”.
Tërheqja poshtëruese ruse nuk i dha fund tingujve të luftës në Kherson. Rreth 70% e rajonit më të gjerë Kherson është ende në duart e Rusisë. Shpërthimet mund të dëgjohen rregullisht në qytet, megjithëse vendasit nuk janë gjithmonë të sigurt nëse është pjesë e përpjekjes për heqjen e minave apo zhurma e artilerisë ruse dhe ukrainase.
Pavarësisht luftimeve të vazhdueshme aty pranë, njerëzit në Kherson ndihen mjaft të sigurt për sigurinë e tyre për t’i injoruar sirenat paralajmëruese të sulmit ajror dhe mblidhen në një numër të madh në rrugë - për të përshëndetur njëri-tjetrin dhe për t’i falënderuar ushtarët ukrainas.
Edhe
Pa rrymë, pa ujë, pa karburant - Sulmet ukrainase sjellin errësirë në verën e Krimesë
Ashtu si shumë banorë, Nenadyschuks nuk tërhiqen kur dëgjojnë shpërthimet në distancë dhe urrejnë të ankohen për çdo vështirësi tjetër që hasin.
“Ne po durojmë. Ne presim fitoren. Ne nuk do të ankohemi”, thotë Yulia Nenadyschuk. “E gjithë Ukraina është në këtë gjendje tani”, shton burri i saj.