Botë

Khersoni nis të kthehet në normalitet

Pavarësisht përpjekjeve për të rivendosur jetën normale civile, forcat ruse mbeten afër. Shtabi i Përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës ka deklaruar të shtunën se rusët po forconin linjat e tyre të betejës në bregun lindor të lumit pasi braktisën kryeqytetin. Rreth 70% e rajonit të Khersonit mbetet nën kontrollin rus

Policët së bashku me gazetarët janë kthyer në qytetin jugor të Khersonit pas tërheqjes së ushtrisë ruse nga qyteti ukrainas. Ky qytet llogaritej si i vetmi që mund të jetë i banueshëm pas pushtimit disamujor të Rusisë. Mirëpo të gjithë zyrtarët ukrainas e kanë cilësuar qytetin si “katastrofë humanitare”.

Njerëzit nëpër gjithë Ukrainën janë zgjuar të shtunën pas festës së madhe kur Kremlini ka njoftuar për tërheqjen e ushtrisë drejt njërës anë të lumit Dneiper. Ushtria ukrainase ka njoftuar se është duke mbikëqyrur masat e stabilizimit përreth qytetit për të ofruar sigurinë e plotë.

Tërheqja ruse shpërfaq humbjen e madhe të Kremlinit vetëm gjashtë javë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, aneksoi rajonin e Khersonit dhe të provincave tjera në jug dhe lindje të Ukrainës, duke shkelur marrëveshjet ndërkombëtare dhe duke i shpallur si territore ruse.

Shefi i policisë së Ukrainës, Ihor Klymenko, ka thënë të shtunën se 200 zyrtarë policorë janë kthyer në punë, duke vendosur postblloqe dhe dokumentuar krimet e mundshme të luftës. Ekipet policore kanë punuar për të identifikuar dhe neutralizuar mjetet shpërthyese që janë vendosur nëpër të gjitha ndërtesat administrative.

Mbikëqyrësi i komunikimeve të Ukrainës ka bërë të ditur se televizioni kombëtar dhe radioja kanë nisur punën në Kherson, teksa këshilltari i kryebashkiakut të Khersonit ka thënë se ndihmat humanitare dhe furnizimet e tjera kanë filluar të arrijnë nga rajoni fqinj i Mykolaivit.

Mirëpo, këshilltari Roman Holovnya e ka përshkruar situatën në Kherson si “katastrofë humanitare”. Ai ka thënë se banorëve të mbetur u mungonin uji, ilaçet dhe ushqimi – dhe gjërat bazë si buka nuk u poqën për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

“Okupatorët dhe bashkëpunëtorët bënë gjithçka që ishte e mundur në mënyrë që ata njerëz që mbetën në qytet të vuajtën sa më shumë që të ishte e mundur gjatë atyre ditëve, javëve, muajve të pritjes” për të mbërritur forcat e Ukrainës, ka thënë Holovnya. “Furnizimi me ujë praktikisht nuk ekziston”.

Furnizimi me energji elektrike

Kryetari i Khersonoblenergos, ofruesi i energjisë në rajon i paraluftës, ka thënë se energjia elektrike po kthehej “në çdo vendbanim në rajonin e Khersonit menjëherë pas çlirimit”.

Pavarësisht përpjekjeve për të rivendosur jetën normale civile, forcat ruse mbetën afër. Shtabi i Përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës ka deklaruar të shtunën se rusët po forconin linjat e tyre të betejës në bregun lindor të lumit pasi braktisën kryeqytetin. Rreth 70% e rajonit Khersonit mbetet nën kontrollin rus.

Zyrtarët ukrainas nga presidenti Volodymyr Zelenskyy e më poshtë kanë paralajmëruar se teksa njësitë speciale ushtarake kanë arritur në Kherson, transferimi i plotë për të përforcuar trupat e avancimit në qytet ka vazhduar edhe të shtunën. Agjencia e inteligjencës e Ukrainës ka bërë të ditur se disa ushtarë rusë mund të kenë qëndruar prapa, duke hequr uniformat e tyre për të shmangur zbulimin.

“Edhe kur qyteti ende nuk është pastruar plotësisht nga prania e armikut, vetë banorët e Khersonit tashmë po heqin simbolet ruse dhe çdo gjurmë të qëndrimit të pushtuesve në Kherson nga rrugët dhe ndërtesat”, ka thënë Zelenskyy në fjalimin e tij të natës.

Zelenskyy ka shtuar se pjesa e parë e punës së stabilizimit përfshin operacionet e çminimit. Ai ka thënë se hyrja e “mbrojtësve tanë” - ushtarëve - në Kherson do të pasohej nga policia, ekipet e shpëtimit dhe punëtorët e energjisë.

“Mjekësia, komunikimi, shërbimet sociale po kthehen”, ka thënë ai. “Jeta po kthehet”.

Fotografitë në mediat sociale të shtunën kanë shfaqur aktivistët ukrainas duke hequr pllakat përkujtimore të vendosura nga autoritetet pushtuese që Kremlini i instaloi për të drejtuar rajonin e Khersonit. Një postim në Telegram, ka treguar dy persona në një park duke hequr pllakat me figura ushtarake të epokës sovjetike.

Njoftimi i Moskës se forcat ruse po tërhiqeshin përtej lumit Dnieper, i cili ndan rajonin Kherson dhe Ukrainën, pasoi një kundërofensivë të shtuar ukrainase në jug të vendit. Në dy muajt e fundit ushtria e Ukrainës pretendoi se kishte rimarrë dhjetëra qytete dhe fshatra në veri të qytetit të Khersonit dhe ushtria tha se aty po zhvilloheshin aktivitetet e stabilizimit.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass ka cituar një zyrtar në administratën e emëruar nga Kremlini në Kherson të ketë thënë se Henichesk, qytet në Detin Azov, 200 kilometra në juglindje të Khersonit, tani do të shërbente si “kryeqytet i përkohshëm” i rajonit.

Mediat ukrainase e përqeshën njoftimin, me gazetën “Ukrainska Pravda” duke raportuar se Rusia “kishte krijuar kryeqytet të ri” për rajonin.

Në pjesën më të madhe të Ukrainës momentet e gëzimit shënuan daljen e forcave ruse, pasi një tërheqje nga Kherson dhe zona të tjera në bregun perëndimor të Dnieperit do të dukej se do të shkatërronte shpresat ruse për të shtyrë një sulm në perëndim në Mykolaiv dhe Odesa për të ndërprerë hyrjen e Ukrainës në Deti i Zi.

Në Odesa, porti i Detit të Zi, banorët u mbuluan me flamujt verdheblu të Ukrainës, ndanë shampanjë dhe mbanin kartolina me ngjyrë flamuri me fjalën “Kherson” mbi to. Por, ashtu si Zelenskyy, ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, është përpjekur të zbuste gëzimin.

“Ne po i fitojmë betejat në terren, por lufta vazhdon”, ka thënë Kuleba nga Kamboxhia, ku po merrte pjesë në një takim të shteteve të Azisë Juglindore.

Kuleba ngriti mundësinë që ushtria ukrainase të gjente prova të krimeve të mundshme të luftës ruse në Kherson, ashtu siç bëri pas tërheqjeve ruse në rajonet e Kievit dhe Kharkiv.

“Sa herë që çlirojmë një pjesë të territorit tonë, kur hyjmë në një qytet të çliruar nga ushtria ruse, gjejmë dhoma torture dhe varre masive me civilë të torturuar dhe vrarë nga ushtria ruse gjatë okupimit”, ka thënë kryediplomati i Ukrainës. “Nuk është e lehtë të flasësh me njerëz të tillë. Por, unë thashë se çdo luftë përfundon me diplomaci dhe Rusia duhet t'u qaset bisedimeve me mirëbesim”.

Vlerësimet e SHBA-së këtë javë kanë treguar se lufta e Rusisë në Ukrainë mund të ketë lënë të vrarë ose plagosur tashmë dhjetëra mijëra civilë dhe qindra mijëra ushtarë.

Ofensiva ruse

Ndërkaq, Rusia ka vazhduar ofensivën e saj të ashpër në lindjen industriale të Ukrainës duke synuar qytetin Bakhmut në rajonin e Donetskut, ka njoftuar Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës.

Guvernatori i Donetskut, Pavlo Kyrylenko, ka raportuar të shtunën se dy civilë u vranë dhe katër u plagosën gjatë ditës së fundit ndërsa betejat u ndezën rreth Bakhmut dhe Avdiivka, qytet i vogël që ka mbetur në duart e Ukrainës.

Shtytja e Rusisë për të kapur Bakhmutin demonstron dëshirën e Kremlinit për përfitime të dukshme pas disa javësh pengesash. Kjo do të hapte gjithashtu rrugën për të lëvizur drejt bastioneve të tjera ukrainase në rajonin shumë të kontestuar të Donetskut.

Në rajonin Dnipropetrovsk në perëndim të Donetskur trupat ruse bombarduan sërish komunitetet pranë termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, ka njoftuar guvernatori rajonal ukrainas.