Botë

Ukraina me ofensivë në qytetin e pushtuar nga Rusia

Natalia Humeniuk, zëdhënëse e Komandës Jugore të Ukrainës, ka konfirmuar se ura Antonivskyi ishte bombarduar, mirëpo vetëm gjatë orës policore me qëllim që të shmangeshin civilët.

Forcat e Ukrainës kanë ushtruar presion ndaj pozicioneve ruse në qytetin e pushtuar të Khersonit, duke sulmuar linjat e furnizimit përgjatë lumit. Të premten, forcat ukrainase kanë nisur sulmin e plot ndaj zonave të para urbane që i ka pushtuar Rusia.

Më shumë se 2 mijë ushtarë të rinj rus kanë arritur në rajonin e Khersonit, një prej katër provincave të aneksuara jashtëligjshëm nga Moska. Njësia e re ka arritur “për t’i fshehur humbjet dhe për t’i forcuar njësitë në frontin e luftës”, ka thënë një zyrtar i lartë ukrainas.

Zëvendëskryetari i administratës rajonale i emëruar nga Kremlini në Kherson, Kirill Stremousov, ka thënë se ukrainasit kanë bombarduar lumin Dnieper, duke lënë të vdekur katër civilë, ndërkaq 13 të tjerë janë plagosur.

Ndërkaq, Natalia Humeniuk, zëdhënëse e Komandës Jugore të Ukrainës, ka konfirmuar se ura Antonivskyi ishte bombarduar, mirëpo vetëm gjatë orës policore me qëllim që të shmangeshin civilët.

“Ne nuk i sulmojmë civilët”, ka thënë Humeniuk.

Stremousov ka thënë se sulmi ka ndodhur 40 minuta pas nisjes së orës policore.

Sulmet e mëparshme ukrainase e kishin bërë urën jofunksionale, duke nxitur autoritetet ruse të ngrenë kalime tragetesh dhe ura të përkohshme për të transportuar furnizimet për trupat ruse në Kherson, i cili ndodhet në bregun perëndimor të lumit Dnieper. Ushtria e Ukrainës i ka shënjestruar rregullisht ato vendkalime.

Zyrtarët e emëruar nga Rusia u kanë kërkuar banorëve të evakuohen nga qyteti Kherson për sigurinë e tyre dhe të lejojnë ushtrinë të ndërtojë fortifikime. Ushtria e Ukrainës raportoi të premten se punonjësit e bankës, punonjësit shëndetësorë dhe mësuesit po evakuoheshin pasi infrastruktura e qytetit gjithashtu filloi të mbyllej.

Të paktën 15,000 banorë nga 60,000 që priten tashmë janë zhvendosur nga qyteti dhe zonat përreth, thanë autoritetet okupuese.

Qyteti Kherson, me një popullsi prej rreth 284,000 banorësh të paraluftës, ishte një nga zonat e para urbane që Rusia mori në kontroll kur pushtoi Ukrainën dhe mbetet qyteti më i madh që mban nën kontroll. Qyteti është objektiv kryesor për të dyja palët për shkak të industrive të tij kryesore dhe portit të madh lumor.

Rajonet Kherson, Luhansk, Donetsk dhe Zaporizhzhia u aneksuan ilegalisht nga presidenti rus, Vladimir Putin, muajin e kaluar edhe pse jo i gjithë territori është nën kontrollin e Rusisë. Putin shpalli ligjin ushtarak në rajone që nga e enjtja në një përpjekje të dukshme për t’i pohuar autoritetin rus mes një vargu pengesash ushtarake dhe kritikave të forta ndërkombëtare.

Në rajonin e Donetskut, dy persona u vranë në 24 orë pasi forcat ruse bombarduan qytetin e Bakhmut, Pavlo Kyrylenko, guvernator ukrainas i provincës. Trupat ruse nuk kanë qenë në gjendje të përparojnë drejt qytetit për më shumë se një muaj.

Sipas guvernatorit Oleh Syniehubov, rreth nëntë persona u plagosën në dy sulme ruse në kryeqytetin e rajonit Kharkiv të rimarrë së fundi në Ukrainën lindore. Në qytetin e Zaporizhzhia, një sulm raketor rus S-300 të premten plagosi tre persona dhe dëmtoi një ndërtesë banimi, një shkollë dhe objekte të infrastrukturës, thanë autoritetet ukrainase.