Tre persona janë vrarë dhe disa të tjerë kanë mbetur të plagosur, pasi qyteti port i Ukrainës, Kherson, u vu nën granatimet e vazhdueshme ruse të dielën.
Autoritetet lokale pretenduan se një spital dhe një shkollë u goditën në atë që ata e quajtën shënjestrim të qëllimshëm, raportoi të hënën “Euronews”.
Për rastin është deklaruar edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili në fjalimin e tij të natës dënoi bombardimet.
"Sot, ushtria ruse ka bombarduar mizorisht Khersonin gjatë gjithë ditës. Ndërtesat e banimit, objektet e ndryshme sociale dhe transporti, duke përfshirë një spital, zyrë postare dhe stacion autobusi, janë dëmtuar. Dy gra infermiere u plagosën në spital. Deri tani, ka raporte për gjashtë të plagosur dhe tre të vdekur”, ka thënë Zelensky.
Ai tha gjithashtu se situata ishte "shumë e vështirë" me sulmet e vazhdueshme ruse në rajonin e Donetskut me përpjekje të vazhdueshme për të thyer mbrojtjen e Ukrainës.
Qyteti i Donetskut, i Bakhmutit dhe zonat përreth kanë qenë skena e disa prej betejave më të ashpra që nga fillimi i pushtimit rus.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendoi se granatimet kanë shkatërruar dy sisteme radari kundër baterive të prodhuara nga SHBA-ja, si dhe një depo municioni artilerie pranë Khersonit.
Përpara një samiti BE-Ukrainë javën e ardhshme, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Ukraina ka mbështetje të pakushtëzuar nga blloku dhe duhet të mbizotërojë kundër sulmeve ruse "për të mbrojtur vlerat evropiane".