Legjislatura e Venezuelës miratoi të enjten hapjen e sektorit të naftës ndaj privatizimit, duke përmbysur një parim të lëvizjes së vetëshpallur socialiste që ka qeverisur vendin për më shumë se dy dekada, raporton agjencia “AP”.
Asambleja Kombëtare miratoi rishikimin e ligjit të industrisë së energjisë më pak se një muaj pas arrestimit të bujshëm të presidentit Nicolas Maduro në një sulm befasues ushtarak amerikan në kryeqytetin e Venezuelës, Caracas.
Projektligji tani pret nënshkrimin e presidentes në detyrë Delcy Rodriguez, e cila i propozoi ndryshimet në ditët pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se administrata e tij do ta merrte kontrollin e eksporteve të naftës së Venezuelës dhe do ta ringjallte industrinë e dobësuar duke tërhequr investime të huaja.
Legjislacioni premton t’u japë kompanive private kontroll mbi prodhimin dhe shitjen e naftës dhe të lejojë arbitrazh të pavarur për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Qeveria e Rodriguezit pret që ndryshimet të shërbejnë si garanci për kompanitë e mëdha amerikane të naftës, të cilat deri më tani kanë hezituar të kthehen në vendin e paqëndrueshëm. Disa prej këtyre kompanive humbën investime kur partia në pushtet miratoi ligjin ekzistues dy dekada më parë për të favorizuar kompaninë shtetërore të naftës së Venezuelës, Petróleos de Venezuela SA, ose PDVSA.
Projektligji do të ndryshonte taksat e nxjerrjes, duke vendosur një tavan të normës së rentës prej 30% dhe duke i lejuar degës ekzekutive të përcaktojë përqindjet për çdo projekt bazuar në nevojat për investime kapitale, konkurrueshmërinë dhe faktorë të tjerë.
Gjithashtu heq detyrimin që mosmarrëveshjet të zgjidhen vetëm në gjykatat venezuelane, të cilat kontrollohen nga partia në pushtet. Investitorët e huaj prej kohësh e kanë parë përfshirjen e gjykatave të pavarura si thelbësore për t’u mbrojtur nga shpronësimet e ardhshme.
Ligjvënësi i partisë në pushtet Orlando Camacho, kreu i komitetit të naftës në Asamble, tha se reforma “do ta ndryshojë ekonominë e vendit”.
Ndërkohë, ligjvënësi i opozitës Antonio Ecarri i kërkoi Asamblesë të shtojë dispozita për transparencë dhe llogaridhënie në ligj, përfshirë krijimin e një faqeje interneti për të bërë publike financimet dhe informacione të tjera. Ai vuri në dukje se mungesa aktuale e mbikëqyrjes ka çuar në korrupsion sistematik dhe argumentoi se këto dispozita mund të konsiderohen gjithashtu garanci gjyqësore.
Këto garanci janë ndër ndryshimet kyçe që investitorët e huaj po kërkojnë, ndërsa peshojnë hyrjen në tregun venezuelan.
“Le të ndizet drita në industrinë e naftës”, tha Ecarri.
Punëtorë të naftës të veshur me kominoshe të kuqe dhe kaska festuan miratimin e ligjit, duke valëvitur një flamur venezuelan brenda Asamblesë.
Ligji u ndryshua për herë të fundit dy dekada më parë, kur paraardhësi i Maduros, Hugo Chavez, e bëri kontrollin e fortë shtetëror mbi industrinë e naftës një shtyllë të revolucionit të tij të frymëzuar nga socializmi.
Në vitet e para të mandatit të tij, një rritje e madhe e të ardhurave nga nafta për shkak të çmimeve rekord globale e ktheu PDVSA-në në burimin kryesor të të ardhurave qeveritare dhe shtyllën kurrizore të ekonomisë së Venezuelës.
Ndryshimet e Chavezit në vitin 2006 në ligjin e hidrokarbureve kërkonin që PDVSA të ishte aksionari kryesor në të gjitha projektet madhore të naftës.
Duke grisur kontratat që kompanitë e huaja kishin nënshkruar në vitet ‘90, Chavez nacionalizoi asete të mëdha që u përkisnin kompanive amerikane dhe të tjera perëndimore që refuzuan të pajtoheshin, përfshirë ExxonMobil dhe ConocoPhillips. Ato ende presin të marrin miliarda dollarë në vendime arbitrazhi.
Venezuela ka rezervat më të mëdha të naftës së papërpunuar në botë, por përjetoi një krizë të rëndë ekonomike që detyroi mbi 7 milionë venezuelanë të largohen që nga viti 2014. Sanksionet e vendosura nga administrata të njëpasnjëshme amerikane e goditën më tej industrinë e naftës.
E presidenti amerikan Donald Trump të enjten tha se ka informuar presidenten në detyrë të Venezuelës, Delcy Rodriguez, se do të hapë gjithë hapësirën ajrore komerciale mbi Venezuelën dhe se amerikanët së shpejti do të jenë në gjendje ta vizitojnë vendin.
Trumpi tha se ka udhëzuar sekretarin e Transportit, Sean Duffy, dhe udhëheqësit ushtarakë të SHBA-së të ndërmarrin hapa për ta hapur hapësirën ajrore për udhëtime deri në fund të ditës.
“Qytetarët amerikanë shumë shpejt do të jenë në gjendje të shkojnë në Venezuelë dhe d të jenë të sigurt atje”, tha Trump.