Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Lidhjet me “Ndranghetan”, arrestohen 56 persona në Itali dhe konfiskohen pasuri 250 mln euro

Paraditen e së enjtes, policia italiane arrestoi 56 persona në të gjithë vendin për lidhje me grupin mafioz “Ndrangheta” dhe sekuestroi pasuri me vlerë rreth 250 milionë euro.

Akuzat me të cilat përballen të dyshuarit përfshijnë zhvatje, rrëmbim, trafik armësh, korrupsion dhe mashtrim, ndër të tjera.

Francesco Messina, drejtori i përgjithshëm i organit të policisë kundër krimit të vendit, ka thënë se “një operacion i fortë nga policia gjyqësore, na mundësoi të shkatërronim një grup të ashpër mafioz”.

Ai shtoi më tej se “vlera e madhe” e pasurive të konfiskuara “konfirmon fuqinë ekonomike të klanit Ndrangheta që është prekur përfundimisht”.

Operacioni i policisë vjen vetëm një javë pasi një nga të arratisurit më të kërkuar të Italisë, bosi famëkeq i mafias siciliane Matteo Messina Denaro, u arrestua në Palermo.

Klani “Ndrangheta” i ka rrënjët në rajonin jugor të Kalabrisë, por tani është përhapur në të gjithë gadishullin dhe në pjesën tjetër të kontinentit. Ai është shumë i përfshirë në kontrabandën e drogës në Evropë, duke mbajtur lidhje të forta me kartelet e Amerikës së Jugut.