Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Lideri taleban për SonntagsBlick: Asnjë trupë e huaj nuk mund të qëndrojë në Afganistan pas 31 gushtit

Lider taleban Abdul Qahar Balkhi në një intervistë dhënë gazetës zvicerane “SonntagsBlick”, ka thënë se afati përfundimtar për largimin e trupave të huaj nga Afganistani është 31 gushti, dhe nëse nuk largohen gjitha trupat, atëherë duhet ndryshuar strategji.

Balkhi është anëtar i Komisionit Kulturor të Talebanëve dhe ishte paraqitur në konferencë për media në Kabul për herë të parë para dy javëve. Ai shihet si person që do të luajë rol qendror në qeverinë e ardhshme në Afganistan.

“Asnjë trupë e huaj nuk lejohet në Afganistan pas 31 gushtit. Duhet të largohen nga Kabuli. Nëse ata qëndrojnë, ne do të duhet të ndryshojmë strategjinë tonë”, tha Balkhi.

Balkhi ka folur për ikjet masive nga Afganistani. Ai ka thënë se qytetarët afganë nuk po ikin nga ta, por nga premtimet e rreme të Hollywoodit dhe prosperitetit ekonomik, që supozohet se ofron Perëndimi. Ai po ashtu ka mohuar se ka pasur vrasje e ekzekutime që kur talebanët kanë marrë drejtimin e Afganistanit, ndonëse organizatat ndërkombëtare kanë raportuar për to.

“Njerëzit nuk po ikin për shkak të frikës apo për shkak të kërcënimeve që kemi bërë kundër tyre. Ata po ikin për shkak të premtimeve të rreme të Hollywoodit dhe prosperitetit ekonomik, që supozohet se ofron Perëndimi. Ne kemi premtuar një amnisti të përgjithshme për të gjithë anëtarët e opozitës. Frika nga ne është e pabazuar. Ne garantojmë mbrojtjen e jetës së këtyre njerëzve. Ashtu siç garantojmë mbrojtjen e pronave dhe të nderit të tyre. Nuk ka pasur ekzekutime apo vrasje jashtëgjyqësore. Ne duam paq dhe siguri”, ka thënë Balkhi.

Edhe Talebanët: Afganët pas 31 gushtit mund të largohen vetëm me dokumentacion të rregullt Botë Talebanët: Afganët pas 31 gushtit mund të largohen vetëm me dokumentacion të rregullt

Ai ka folur edhe për ligjin e Sheriatit, ndërsa ka mohuar se talebanët po shkojnë me lista deri më derë për të kërkuar njerëzit që kanë punuar me ndërkombëtarët.

“Ligji i Sheriatit nuk është i kufizuar vetëm në ndëshkim, siç e portretizojnë shpesh mediat perëndimore. Sheriati është një mënyrë e tërësishme e jetës që rregullon shumë dhe supozohet të sjellë paqe dhe prosperitet.”, tha ai. “Dënimet gjithashtu janë pjesë e ligjit islam, por kufizohen në raste ekstreme të krimit. Së fundi, edhe në Perëndim, ekziston dënimi me vdekje për të penguar krimet e rënda. Sa i përket listave që pretendohet se ekzistojnë, mund të them se nuk ka lista të tilla, e as nuk është e vërtetë që dikush shkon derë më derë duke kërkuar njerëz. Këto raportoje janë të pabaza. Nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë. Ne kemi theksuar tashmë se të drejtat e grave mbrohen sipas ligjit islam. Në këtë përfshihet edhe e drejta për punë e arsimin, me kusht që ato punojnë me veshje të përshtatshme islame”.

Sa i përket sulmeve terroriste të ISIS-it në aeroportin e Kabulit të enjten, ku humbën jetën mbi 170 persona, ai ka thënë se talebanët i dënojnë këto sulme, por se kanë ndodhur në një zonë të mbrojtur nga amerikanët.

“Ne e dënojmë sulmin dhe i shohim të gjitha sulmet e qëllimshme kundër civilëve të pafajshëm si terrorizëm e krim kundër njerëzimit. Sulmi ndodhi në një zonë kontrolli të ushtrisë amerikane. Nuk arriti të garantojë sigurinë. Ishte faji i tyre, jo i yni”, ka thënë Balkhi.

Edhe Talebanët kundër zgjatjes së qëndrimit të trupave amerikane në Afganistan Botë Talebanët kundër zgjatjes së qëndrimit të trupave amerikane në Afganistan

Balkhi ka ftuar shtetet e huaja të krijojnë marrëdhënie të mira diplomatike me Afganistanin.

“Ne duam marrëdhënie ekonomike dhe personale. Ne u bëjmë thirrje vendeve të botës – përfshirë Zvicrës – të njohin të drejtën e popullit afgan për vetëvendosje dhe të kultivojnë marrëdhënie të mira diplomatike, ekonomike dhe njerëzore me Afganistanin”, tha ai.