Liderët dhe ministrat e G20-s janë pajtuar të martën se nuk kanë opsion tjetër përveçse t’i përfshijnë talebanët në dërgimin e ndihmave humanitare për Afganistanin, por kanë bërë të ditur se kjo gjë nuk e nënkupton njohjen politike të talebanëve si qeveri.
Qëndrimi konsensual është arritur gjatë një videokonference për krizën afgane, në të cilën Bashkimi Evropian është zotuar për gjithsej 1 miliard euro ndihma dhe është pajtuar në parim që FMN-ja dhe Banka Botërore mund të ofrojnë ndihma.
Agjencitë humanitare kanë paralajmëruar se Afganistani ndodhet buzë “katastrofës humanitare” qëkur ndihmat ndërkombëtare për vendin janë ndalur, pasi që talebanët e morën atë nën kontroll.
Mario Draghi, kryeministër i Italisë dhe shef aktual i G20-s, ka thënë se gjatë takimit është arritur konsensus për veprim me anë të OKB-së dhe agjencive të saj.
“Adresimi i krizës humanitare do ta kërkojë kontaktin me talebanët, por kjo nuk e nënkupton njohjen e tyre politikisht. Ne sigurojmë se ata do të gjykohen në bazë të asaj që bëjnë, e jo në bazë të asaj çfarë thonë”, ka theksuar Draghi. “Vështirë është që të mendohet se si mund të ndihmohen njerëzit në Afganistan pa i përfshirë talebanët”.
Në anën tjetër, kancelarja Angela Merkel ka bërë të ditur se Gjermania nuk është ende e gatshme që t’i pranojë talebanët si Qeveri të Afganistanit, pasi që grupi nuk i ka përmbushur standardet e kërkuara prej tij.
Edhe
OKB-ja bën thirrje urgjente për shmangien e katastrofës humanitare në Afganistan
Duke folur në videokonferencë, Merkel ka thënë se liderët duhet të kërkojnë që agjencive të OKB-së t’u jepet qasje e plotë në distribuimin e ndihmave humanitare.
“Kërkojmë që të gjitha organizatave të OKB-së t’u sigurohet qasje për ndihmat humanitare që duan t’i ofrojnë”, ka thënë Merkeli nga Berlini. \ Guardian
-
BE-ja pret për herë të parë në Bruksel një delegacion taleban, ngjall kritika
-
OKB: Afganistani po vuan nga “kriza të shumëfishta” përveç tërmetit
-
OKB: Talebanët do të vendosin rregulla të reja për punën e grave në operacionet humanitare
-
Gratë udhëheqëse të OKB-së takohen me talebanët për ndalimin e punonjësve të ndihmës