Ligjvënësit e Partisë Demokratike festuan të martën pasi një sondazh i përbashkët tregoi se kandidati i saj liberal, Lee Jae-myung parashikohet të fitojë zgjedhjet presidenciale të Koresë së Jugut.
Ndërkohë, pati më pak skena gëzimi në një takim të anëtarëve konservatorë të Partisë së Fuqisë Popullore, raporton AP.
Sondazhi i kryer nga tri stacionet kryesore televizive të Koresë së Jugut - KBS, MBC dhe SBS, tregonte se Lee parashikohej të merrte 51.7% të totalit të votave të hedhura gjatë zgjedhjeve të së martës, duke mposhtur kandidatin konservator, Kim Moon Soo me 39.3%.
Zgjedhjet kanë për qëllim të gjejnë një pasardhës të Yoon Suk Yeol, një konservator i cili u shkarkua nga detyra në prill për shkak të vendosjes së ligjit ushtarak.
Kandidati fitues do të marrë detyrën si president të mërkurën pa periudhën e zakonshme dy-mujore të tranzicionit.
Lee Jae-myung fiton zgjedhjet presidenciale në Kore të Jugut
Mediat kryesore të vendit kanë raportuar se Lee Jae-myung ka fituar zgjedhjet presidenciale të Koresë së Jugut, të parat që nga kaosi i shkaktuar atje pas shpalles së ligjit ushtarak nga ish-presidenti, Yoon Suk Yeol.
Miliona qytetarë me të drejtë vote kanë votuar të martën në zgjedhjet e parakohshme të shkaktuara nga shkarkimi i ish-presidentit Suk Yeol për shkak të përpjekjes së tij të dështuar për vendosjen e ligjit ushtarak, raporton BBC.
Edhe sondazhet e kanë nxjerrë Lee Jae-myung përpara Kim Moon-soo të partisë në pushtet, një ish-anëtar i kabinetit të Yoon.
Zgjedhjet janë formësuar nga pasojat e lëvizjes së shkurtër por katastrofike të Yoon në dhjetor, e cila shkaktoi protesta përçarëse dhe muaj kaosi politik.
Presidenti i ri përballet me një vend të polarizuar, biznese të shqetësuara për tarifat amerikane dhe një aleat të paparashikueshëm si Donald Trumpi.