Botë

Kuleba kërkon nga NATO-ja më shumë raketa Patriot për Ukrainën

Lufta në Ukrainë

Ukraina kërkon më shumë bateri Patriot

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka kërkuar të enjten nga vendet anëtare të NATO-s që ta furnizojnë Ukrainën me më shumë raketa Patriot, për t’iu kundërvënë sulmeve ruse me dronë.

“Është e pamundur të kuptohet se përse aleatët nuk mund të gjejnë raketa shtesë për t’i dërguar atje ku raketat balistike po gjuhen çdo ditë”, ka thënë Kuleba, raporton AP.

Vendet anëtare të NATO-s diskutuan të mërkurën një plan për të dërguar më shumë ndihmë ushtarake në Ukrainë në vitet e ardhshme, derisa Rusia po shënon përparim në fushëbetejë.

“Ne fuqishëm besojmë se mbështetja për Ukrainën duhet të jetë më pak e varur në ndihmat humanitare, dhe më shumë në një mbështetje afatgjatë nga NATO-ja”, ka thënë sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, para një takimi të ministrave të Jashtëm në Bruksel. 

Të mërkurën, Ukraina uli moshën e rekrutimit ushtarak nga 27 në 25 vjet për të ndihmuar në rimbushjen e gradave të saj të varfëruara pas më shumë se dy vjet lufte.

Mungesa e këmbësorisë e kombinuar me mungesën e rëndë të municioneve ka ndihmuar trupat ruse të përparojnë në Ukrainë.

NATO-ja shënon 75-vjetorin e themelimit të enjten. 

Në një ceremoni të prerjes së tortës në Bruksel, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken dhe homologët e tij do të shënojnë momentin kur traktati themelues i aleancës u nënshkrua më 4 prill 1949, në Washington, raporton AP.