Shpërthimet misterioze në Transnistria, një territor separatist i kontrolluar nga Rusia në Moldavi, kanë ngritur frikën se konflikti në Ukrainë mund të përhapet, shkruan BBC të martën.
Rusia ka rreth 1.500 trupa me bazë në Transnistria, e cila kufizohet me Ukrainën dhe u shkëput nga Moldavia në një luftë të shkurtër më 1992.
Nëse Rusia përforcon Transnistrinë, ajo mund t'u mundësojë forcave të saj të lëvizin në Odesa - një qytet port i rëndësishëm strategjik - nga perëndimi i Ukrainës. Shtytja e saj në qytet nga lindja u bllokua nga trupat ukrainase.
Të premten, një gjeneral i lartë rus, Rustam Minnekayev, ka thënë se kontrolli mbi jugun e Ukrainës është një tjetër rrugëdalje për në Transnistria, ku ka edhe raste të shtypjes së popullatës rusisht-folëse.
Presidenti Vladimir Putin është zotuar të mbrojë rusët etnikë në ish-republikat sovjetike. Ky ishte argumenti i tij për pushtimin e Ukrainës. Moldavia ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik.
Moldavia nuk është në NATO apo BE. Është një nga vendet më të varfra të Evropës dhe shtëpia e shumë ukrainasve etnikë.