Shpërthime misterioze në Transnistria, një rajon separatist i kontrolluar nga forcat pro-ruse që gjendet në Moldavi dhe është në kufi me Ukrainën, ka rritur frikën se lufta e nisur në Ukrainë po bartet edhe në vende tjera.
Autoritetet separatiste të Transnistrias, kanë thënë se “ukrainas të infiltruar” janë përgjegjës prapa këtyre shpërthimeve. Por, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar shërbimin special të Rusisë për sulmet.
Rusia thotë se është e shqetësuar. Thotë se ka rreth 1500 trupa në Transnistria.
Një zyrtar ka thënë se rusofolësit në Moldavi po shtypen.
Është arsyetimi i njëjtë që u përdor për ta justifikuar pushimin e Ukrainës.
Në dy ditët e fundit, autoritetet në Transnistria, thonë se shpërthimet kanë shënjestruar: selinë e sigurimit shtetëror në qytetin kryesor Tiraspol, një kullë televizive të vjetër nga koha ish-sovjetike që po përdorej për të transmetuar lajme në gjuhën ruse, një njësit ushtarak në Parcani, një fshat në periferi të Tiraspolit.
Nuk është raportuar për të vdekur, por është ndezur alarmi “anti-terrorizëm”, që nënkupton rritjen e sigurisë në territorin, që është shkëputur nga Moldavia pas një lufte të shkurtër në vitin 1992.
Zyrtarët e Transnistrias kanë thënë se tre të infiltruar të paidentifikuar nga Ukraina kanë sulmuar selinë e zyrës së sigurisë me granata. Këto pretendime nuk janë verifikuar.
Kremlini thotë se po e përcjellë situatën me kujdes dhe se është “arsye për shqetësim”.
Në Kiev, presidenti ukrainas Zelensky ka qenë i qartë se Rusia qëndron prapa sulmit.
“Synimi është i qartë – ta destabilizojë situatën në rajon, për ta kërcënuar Moldavinë. Tregon se nëse Moldavia përkrah Ukrainën, atëherë do të marrë hapa të caktuar. Por, ne i kuptojmë aftësitë e tyre, Forcat e Armatosura të Ukrainës janë të gatshme dhe nuk ia kanë frikën”, ka thënë Zelensky të martën.
A po përhapet lufta?
Ndezja e situatës në Transnistria mund ta destabilizojë Moldavinë dhe të hapë një front të ri në luftën në Ukrainë. Odesa, qytet port në Ukrainë, gjendet shumë afër në lindje të Transnistrias.
Nëse Rusia përforcohet në Transnistria, mund të lëvizë më pas në Odesa nga perëndimi.
Depërtimi i Rusisë në Odesa nga lindja është bllokuar nga trupat ukrainase. Lëvizja për ta sulmuar nga perëndimi mund të shpërqendrojë më tepër forcat ukrainase që edhe ashtu është dashur të shpërndahen në shumë fronte.
Të premten, gjenerali i lartë rus, Rustam Minnekayev, ka thënë “kontrolli i pjesës jugore të Ukrainës është një mënyrë tjetër për të dalë nga Transnistria, ku ka po ashtu raste të shtypjes të popullatës rusofolëse”.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se do t’i “mbrojë” rusët etnikë në ish-republikat sovjetike. Kjo u përdor si arsyetim nga ai për pushtimin e Ukrainës. Moldavia është një ish-republikë sovjetike.
Sot Moldavia është aleate e ngushtë e Rumanisë, por, ndryshe nga Rumania, Moldavia nuk është në NATO dhe Bashkim Evropian. Shumë moldavë kanë pasaporta rumune dhe punojnë në BE.
Moldavia është një prej shteteve më të varfra në Evropë. Po ashtu është shtëpi e shumë ukrainasve etnikë.
Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, është pro-BE, por paraardhësi i saj Igor Dodon – që po ashtu ka shumë përkrahës – ishte pro-rus.
Moldavia ka ndaluar shfaqjen në publik të fjongos së kuqe të asociuar me St. Georgen dhe po ashtu shenjën Z të identifikuar me pushtimin ushtarak rus të Ukrainës.
Ku gjendet Transnistria?
Rajoni separatist Transnistria – është një rrip i ngushtë që gjendet mes lumit Dniester dhe kufirit ukrainas – ka shpallur pavarësinë nga Moldavia në vitin 1990. Komuniteti ndërkombëtar nuk e njeh pavarësinë e Transnistrias.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Moska e kishte krijuar Republikën Socialiste Sovjetike Moldave, nga rusofolësit në rajonin Dniester, që ka qenë pjesë autonome e Ukrainës, dhe po ashtu rajonin fqinj Bessarabia, që ka qenë pjesë e Rumanisë nga viti 1918 deri në vitin 1940.
Por, ndërsa Bashkimi Sovjetik u shpërbë, u rrit alarmi në rajonin e Dniesteri për shkak të rritjes së nacionalizmit moldav dhe mundësisë që të ribashkohet Moldavia me Rumaninë, dhe rajoni e shpalli pavarësinë.
Deri 700 persona janë vrarë në një luftë të shkurtër kufitare mes Moldavisë dhe Trasnistrias – ndërsa u nënshkrua një armëpushim në vitin 1992. Marrëveshja u detyrua nga trupat ruse të stacionuara në Transnistria.