Kryetari i qytetit ukrainas Melitopol, Ivan Fedorov, ka thënë për CNN-in, se qyteti i tij është në një pozitë shumë të rrezikshme dhe të vështirë.
Fedorov vetë ishte mbajtur në paraburgim për pesë ditë nga forcat ruse në mars.
Forcat ruse okupuan Melitopolin pak ditë pas fillimit të pushtimit, por në qytet janë parë protesta sporadike që nga atëherë.
Është vendosur një kryetar i ri në qytetin që është nën kontrollin rus, pasi që Federov u kidnapua.
Federov u lirua më vonë pas një shkëmbimi të burgosurve.
“Synimi i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, është që ta vrasë gjithë shtetin ukrainas, duke nisur nga pushtimi i qyteteve të saj”, tha Fedorov. “Ne nuk mund të dërgojmë ndihmë humanitare. Nuk mund të dërgojmë ilaçe. Nuk mund të dërgojmë shërbime të emergjencës. Për këtë arsye situata është shumë e rrezikshme”.
Fedorov në Parlamentin Evropian të mërkurën në Bruksel bëri thirrje për më tepër ndihmë për Ukrainën.
Ai këto thirrje i ka përsëritur edhe të dielën në intervistë për CNN-in.
“Ne na duhet ndihma, por çfarë është me rëndësi na duhet sot, e jo nesër. Na duhet sot”, tha Fedorov.
Ai ka thënë se shpreson që SHBA-ja dhe BE-ja të ofrojnë mjaftueshëm përkrahje dhe armë për ta fituar luftën.