Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, mbrëmë e ka hedhur poshtë ftesën e ish-liderit të Katalonjës, Carles Puigdemont, për bisedime të reja jashtë Spanjës.
Kryeministri Rajoy tha se ai do të zhvillonte negociata me çdokënd, që zgjidhet shef i qeverisë së Katalonjës, por udhëheqësit e ri duhet t’i marrin postet e tyre në Katalonjë.
Më herët, Puigdemont tha se ishte i gatshëm për takim me zotin Rajoy çdokund në Bashkimin Evropian, por jo në Spanjë, ku ai ballafaqohet me arrestim, lidhur me akuza për kryengritje, revoltë dhe keqpërdorim të fondeve.
Këtë thirrje ai e bëri pasi partitë separatiste e fituan shumicën në zgjedhjet madhore rajonale në Katalonjë, të mbajtura pardje.