Botë

Kryeministri britanik vëren lodhje të ukrainasve nga lufta me Rusinë

Kryeministri britanik të premten vizitoi pa paralajmërim Kievin, duke u takuar edhe me liderin Volodymyr Zelenskyy. Pas kthimit në Britani, Johnsoni ka thënë se lufta ka nisur t’i lodhë ukrainasit dhe se për këtë u duhet përkrahje edhe më e madhe

Kryeministri Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka tërhequr vërejtjen se Ukraina ka nisur të lodhet si pasojë e zgjatjes së luftës nga Rusia.

Shefi i qeverisë britanike bëri një vizitë të paparalajmëruar në Kiev të premten, duke u takuar me kryeministrin ukrainas, Volodymyr Zelensky, me të cilin edhe një herë është shëtitur nëpër rrugët e Kievit.

Duke folur pas kthimit të tij nga kryeqyteti ukrainas, Johnsoni ka thënë se është shumë e rëndësishme që Britania të vazhdojë të tregojë mbështetje për Ukrainën, por ka paralajmëruar se forcat ruse po avancojnë pushimin e territoreve ukrainase.

“Rusët janë duke ecur përpara centimetër pas centimetri, dhe është jetike për ne që të tregojmë atë që dimë se është e vërteta, që është se Ukraina mund të fitojë dhe do të fitojë. Kur lodhja e Ukrainës po fillon, është shumë e rëndësishme të tregojmë se jemi me ta për një kohë të gjatë dhe po u japim atyre qëndrueshmërinë strategjike që u nevojitet”, ka thënë kryeministri britanik.

Sipas tij, do të ishte një “katastrofë” nëse presidenti rus, Vladimir Putin, do të ishte në gjendje të pushtonte pjesën jugore të Ukrainës dhe Donbasin.

“Do të ishte katastrofë nëse ai siguron urë tokësore për qytetet në jug dhe ta mbajë Donbasin. Këtë dëshiron ai. Ai dëshiron të thotë: ‘Kemi kontrollin mbi Melitopolin dhe Mariupolin, dhe krejt pjesën jugore. Pas kësaj do t’i pëlqente të thoshte: ‘Le ta ngrijmë konfliktin, të arrijmë armëpushim ashtu si në vitin 2014”, ka thënë Johnsoni.

Johnsoni ka thënë gjithashtu se dëshiron ta bëjë të qartë se mbështet ukrainasit në ambicien e tyre për të dëbuar rusët nga gjithçka që Putini ka marrë që nga 24 shkurti.

Ndërkaq, një ditë pas vizitës së kryeministrit britanik, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka zhvilluar një vizitë në qytetin jugor të shkatërruar nga lufta, Mykolaiv, ka konfirmuar të shtunën zyra e tij. "Presidenti inspektoi ndërtesën e administratës shtetërore rajonale të Mykolaiv, e cila u shkatërrua si rezultat i një sulmi raketor nga forcat ruse", tha në një deklaratë zyra e Zelenskyyt. Zyra e liderit ukrainas nuk specifikoi se kur u zhvillua vizita. Në mars, një raketë ruse shkaktoi një vrimë në ndërtesën e administratës shtetërore rajonale të Mykolaiv, duke lënë të vdekur të paktën 37 persona. Forcat ruse arritën në periferi të Mykolaivit në fillim të marsit, por më pas u kthyen në skajet lindore dhe jugore të rajonit, ku luftimet po vazhdojnë. Shumë nga lagjet në qytetin port të Mykolaiv tani janë të shkreta, të shkatërruara nga bombardimet, ose të braktisura nga banorët që kanë ikur të sigurt në Evropë ose gjetkë në vend.

Të premten, krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian ka rekomanduar vendosjen e Ukrainës në rrugën e anëtarësimit, nxitje simbolike për vendin e përfshirë në luftë, ama që nuk e ngadalësoi sulmin rus në lindje që po merr jetë civile e që po i bën shkrumb e hi qytetet. Mundësia e anëtarësimit në një bashkim të krijuar për ta ruajtur paqen në kontinent dhe që qëndron si model për sundimin e ligjit dhe prosperitetin, përmbush një dëshirë të presidentit Volodymyr Zelenskyy dhe të shumë qytetarëve me pamje perëndimore që i rezistojnë pushtimit rus.