Koreja e Veriut pretendon se me sukses ka dërguar një satelit spiun në hapësirë, pas dy tentimeve të dështuara që pati më herët këtë vit, raporton “BBC”.
Koreja e Veriut lansoi satelitin të martën mbrëma. Lansimi erdhi pas takimit që pati presidenti i Rusisë, Vladimir Putin me liderin verikorean Kim Jong Un në shtator, e ku ai i ofroi ndihmë në programin hapësinor.
Koreja e Jugut nuk ka konfirmuar ende nëse sateliti është operacional. Por, thotë se beson që Koreja e Veriut është ndihmuar nga Rusia në këtë aspekt.
Pas lansimit, Koreja e Jugut ka njoftuar se do t’i rikthejë vëzhgimet përgjatë kufirit me Veriun, duke pezulluar pjesë të marrëveshjes të dakorduar mes dy shteteve në vitin 2018 për t’i ulur tensionet ushtarake.
Agjencia verikoreane e lajmeve KCNA ka thënë se sateliti, Malligyong-1, është futur “me saktësi” në orbitë dhe lideri Kim Jong Un ka shikuar lansimin.
Lansimi është dënuar nga Kombet e Bashkuara. Koreja e Veriut e ka të ndaluar të dërgojë satelit në hapësirë për shkak të programit të saj për zhvillim të raketave nukleare.
Edhe
Koreja e Veriut lanson raketë, pretendohet se po tenton të dërgojë satelit spiun në hapësirë
Po ashtu lansimi është dënuar edhe nga SHBA-ja e Japonia.
“Çdo lansim nga Koreja e Veriut duke përdorur teknologji të raketave balistike është në kundërshtim me rezolutat e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se “është shkelje e rëndë” e rezolutave të OKB-së e kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, po ashtu ka dënuar lansimin e raketave, që fluturoi mbi prefekturën e Okinawas.