Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Koreja e Veriut lanson raketë, pretendohet se po tenton të dërgojë satelit spiun në hapësirë

Koreja e Veriut të martën thuhet se ka bërë një tentim të tretë për ta dërguar një satelit spiun ushtarak në orbitë, ka njoftuar ushtria e Koresë së Jugut. Thuhet se ky është tentim i Koresë së Veriut për ta ndërtuar një sistem vëzhgimi në hapësirë, raporton agjencia “AP”.

Nuk është bërë e qartë nëse lansimi ka qenë i suksesshëm. Por, është e qartë se do të nxisë reagime të ashpra nga SHBA-ja dhe partnerët e saj, pasi Kombet e Bashkuara ia kanë ndaluar Koresë së Veriut që të lansojë satelitë në hapësirë, duke i quajtur ato si mbulim për testime të teknologjive raketore.

Ushtria e Koresë së Jugut ka thënë se ka vërejtur lansimin e raketës, që Koreja e Veriut e ka përshkruar si satelit spiun ushtarak. Është thënë se lansimi është bërë nga qendra kryesore hapësinore e Koresë së Veriut të martën mbrëma.

Thuhet se raketa ka fluturuar mbi ujërat ndërkombëtarë afër bregdetit perëndimor të Gadishullit Korean.

Po ashtu edhe Ministria e Mbrojtjes e Japonisë ka thënë se ka vërejtur një lansim të dyshuar të Koresë së Veriut.

Zyra e Kryeministrit të Japonisë fillimisht ka lëshuar një alarm paralajmërues për Okinawan, duke u bërë thirrje qytetarëve të strehohen brenda ndërtesave apo nëntokë. Brenda dhjetë minutave, Zyra nëpërmjet platformës “X”, ka thënë se raketa ka kaluar në Oqean Paqësor.

Edhe Koreja e Veriut pretendon se lansoi me sukses një satelit spiun na hapësirë Botë Koreja e Veriut pretendon se lansoi me sukses një satelit spiun na hapësirë

Roja bregdetare e Japonisë më herët të martën ka thënë se Koreja e Veriut ka njoftuar Tokion për planet që ta lansojë një satelit diku mes të mërkurës dhe 30 nëntorit.

Sateliti spiun është një nga elementet kyçe të liderit verikorean Kim Jong Un, që dëshiron ta modernizojë sistemin e armëve të tij për të përballuar “rrezikun amerikan”.

Koreja e Veriut kishte tentuar të lansonte një satelit spiun në hapësinorë edhe dy herë tjera këtë vit, por në të dy rastet lansimi dështoi shkaku i një gabimi teknik.