Botë

Koreja e Veriut arreston tre zyrtarë pas dështimit në lansim të luftanijes

luftanija e demtuar verikoreane

Foto: Maxar

Koreja e Veriut ka arrestuar tre zyrtarë të kantierit detar për një aksident gjatë lansimit të luftanijes të mërkurën, raporton televizioni shtetëror verikorean, transmeton “BBC”. 

Gjatë lëshimit në det të anijes 5000-tonëshe, pjesa e poshtme u dëmtua dhe anija doli nga ekuilibri.

Lideri verikorean Kim Jong Un e përshkroi atë si “akt kriminal”. 

Agjencia verikoreane e lajmeve, KCNA, tha se të arrestuarit janë kryeinxhinieri i kantierit detar të Chongjin ku ishte ndërtuar anija, si dhe kreu i ndërtimit të anijes dhe një menaxher administrativ. 
Thuhet se të tre “ishin përgjegjës për incidentin”. 

Të premten, KCNA kishte njoftuar se menaxheri i kantierit detar, Hong Kil Ho, ishte thirrur nga forcat e rendit. 

Imazhet satelitore tregojnë anijen e shtrirë anash ndërsa është mbuluar me mbulesa të mëdha të kaltra. Një pjesë e anijes duket se është në tokë. 

Në mediume nuk është përmendur ndonjë i lënduar apo viktimë në rastin.