Botë

Dëmtohet luftanija verikoreane në lansim, Kim Jong Un e quan “aksident serioz”

Luftanija verikoreane

Foto: Associated Press

Luftanija e dytë e Koresë së Veriut është dëmtuar gjatë lëshimit në ujë këtë javë, ka raportuar të enjten mediumin shtetëror verikorean. Është një turpërim i radhës për udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, që po insiston në modernizimin e forcës së tij detare, raporton agjencia “AP”. 

Nuk është e zakonshme që Koreja e Veriut t’i pranojë dështimet që lidhen me ushtrinë, por vëzhguesit thonë se zbulimi i këtij dështimi tregon se Kim Jong Un është serioz sa i përket përparimit detar. 

Gjatë ngjarjes së lansimit në portin verilindor të Chongjin të mërkurën, shkatërruesi i sapondërtuar i kalibrit 5000 tonësh, humbi ekuilibrin dhe u dëmtua në pjesën e poshtme gjatë lëshimit, ka thënë Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA). 

KCNA nuk dha detaje mbi atë se çfarë shkaktoi problemin, sa i rëndë është dëmi apo nëse dikush është lënduar.

Sipas KCNA-së, Kim Jong Un që ishte i pranishëm në ceremoni, fajësoi zyrtarët ushtarakë, shkencëtarët dhe operatorët e kantiereve detare për një “aksident të rëndë dhe akt kriminal të shkaktuar nga pakujdesia absolute, papërgjegjësia dhe empirizmi joshkencor”.

Ai tha se anija duhet të restaurohet para një takimi kyç të partisë në qershor dhe ata që janë të përfshirë në projektimin e anijes do të mbahen përgjegjës për incidentin, që sipas tij “dëmtoi rëndë dinjitetin dhe krenarin e kombit”.

“Është një gjë e turpëruese. Por,  arsye pse Koreja e Veriut e zbuloi incidentin është se dëshiron të tregojë se po përshpejton modernizimin e forcës së saj detare dhe shpreh besimin e saj se mund ta ndërtojë një forcë detare më të madhe”, ka thënë Moon Keun-sik, një ekspert i marinës që jep mësim në Universitetin e Hanyangut në Seul të Koresë së Jugut. 

Moon dyshon se incidenti ka ndodhur pasi që punonjësit e Koresë së Veriut nuk janë ende të njohur me një anije luftarake kaq të madhe dhe u nxituan ta vendosin atë në ujë. 

Anija e dëmtuar ka të ngjarë të jetë e kategorisë së njëjtë me shkatërruesin e parë të vendit, që u zbulua më 25 prill, të cilin ekspertët e vlerësuan si anija luftarake më e madhe dhe më e përparuara e Koresë së Veriut deri më sot. 

Kim e quajti anijen e parë, të emërtuar Choe Hyon – sipas një luftëtari të famshëm gueril korean gjatë periudhës kolonizuese japoneze – një aset të madh për avancimin e synimeve të tij që ta zgjerojë gamën operative të ushtrisë dhe aftësitë për sulm bërthamor. 

Mediumet shtetërore e përshkruan atë anije si të projektuar për të trajtuar sisteme të ndryshme armësh, përfshirë armë kundërajrore dhe kundëranijeve, si dhe raketa balistike dhe lundruese me kapacitete për të mbajtur koka bërthamore. 

Kim tha se anija pritej të hynte në detyrë aktive në fillim të vitit të ardhshëm dhe më vonë mbikëqyri provat e lëshimit të raketave nga anija luftarake. 

Lee Sung Joon, zëdhënës i shtatmadhorisë së Ushtrisë së Koresë së Veriut, tha të enjten se anija e dëmtuar ka të ngjarë të jetë pajisur me sisteme të ngjashme dhe mbetet e përmbysur në det. 

Raporti i Koresë së Veriut erdhi pasi imazhet e fundit satelitore komerciale treguan se vendi po ndërtonte shkatërruesin e dytë në një kantier detar në Chongjin. 

Disa orë pas publikimit të raportit për shkatërruesin e dëmtuar, Koreja e Veriut lëshoi disa raketa lundrimi nga një zonë pranë qytetit verilindor të Sondok, ka thënë Ushtria e Koresë së Jugut.