Më shumë se 300 punëtorë koreano-jugorë të ndaluar pas një bastisjeje masive të imigracionit në një fabrikë të Hyundait në Georgia do të lirohen dhe do të kthehen në shtëpi, ka njoftuar qeveria e Koresë së Jugut të dielën.
Kang Hoon-sik, shefi i stafit të presidentit, Lee Jae Myung, ka thënë se Koreja e Jugut dhe SHBA-ja kanë finalizuar negociatat për lirimin e punëtorëve.
Ai ka thënë se Koreja e Jugut planifikon të dërgojë një aeroplan çarter për të sjellë punëtorët në shtëpi sapo të përfundojnë hapat e mbetur administrativë.
Autoritetet amerikane të imigracionit kanë thënë të premten se ndaluan 475 persona, shumica e tyre shtetas të Koresë së Jugut, kur qindra agjentë federalë bastisën vendin e prodhimit të Hyundai në Georgia, e në të cilën prodhuesi korean i veturave prodhon automjete elektrike.
Agjentët u përqendruan në një fabrikë që është ende në ndërtim e sipër, në të cilën Hyundai ka bashkëpunuar me LG Energy Solution për të prodhuar bateri që furnizojnë me energji automjetet elektrike.
Ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Cho Hyun, ka thënë se më shumë se 300 koreano-jugorë janë midis të ndaluarve. Operacioni është i fundit në një linjë të gjatë bastisjesh në vendet e punës të kryera si pjesë e agjendës së deportimit masiv të administratës Trump.