Botë

Kongresistja e Minnesotas sulmohet me një substancë të lëngshme gjatë një ngjarje

Ilhan Omar

Foto: BBC

Kongresistja e Minnesotas, Ilhan Omar, është sulmuar të martën me një substancë të panjohur në një ngjarje të cilën ajo po e organizonte, raporton “BBC”. Një person, që ishte në audiencë, i erdhi te foltorja dhe përdori shiringë për të spërkatur një substancë të lëngshme në drejtim të saj, ka njoftuar Policia e Minnesotas. 

Omar shpëtoi pa lëndime dhe vazhdoi ta mbante fjalimin. 

“Jam mirë. Jam një e mbijetuar, kështu që ky agjitator i vogël nuk do të më frikësojë. Nuk i lejoj ngacmuesit të fitojnë”, shkroi ajo në rrjetin social “X”. 

Lëngu i spërkatur mbi Omarin kishte një erë të thartë e ngjashme me produkt kimik, siç ka thënë një gazetar i BBC-së që ishte në sallë. 

Anthony James Kazmierczak (55), është akuzuar për sulm dhe po mbahet në paraburgim. 
Pas incidentit, demokratja Omar, tha në aktivitetin që po e organizonte në objektin komunal se “do të vazhdojmë”. 

Në video që është publikuar shihet ekipi duke bërtitur që të krijohet hapësirë për ta nxjerrë të dyshuarin nga dhoma. 

Gjatë ngjarjes të së martës, Omar tha se aleatja kryesore e presidentit amerikan Donald Trump, sekretarja e Brendshme dhe e Sigurisë, Kristi Noem, duhet të japë dorëheqje ose të përballet me shkarkim për shkak të ngjarjeve që po ndodhin në Minnesota. Departamenti që drejton Noem mbikëqyrë  Forcat e Imigracionit dhe Doganës (ICE). 

Në janar, një oficer i emigracionit qëlloi për vdekje qytetaren Renee Good. Dhe të shtunën, qytetari Alex Pretti u qëllua për vdekje pasi u ndalua nga agjentët kufitarë, duke ringjallur protesta lokale si edhe një zemërim publik në mbarë vendin. Ishte pas komenteve të Omarit për Noemin që ajo u sulmua. Ndërsa ai po nxirrej me forcë nga dhoma pas përdorimit të shiringës, sulmuesi tha se Omar po “na vë kundër njëri-tjetrit”. 

Në një postim në rrjete sociale, kryetari i bashkisë së Minneapolis, Jacob Frey, tha se “dhuna dhe frikësimi nuk kanë vend në Minneapolis”. 

Në vitin 2019, Omar u bë somalezo-amerikanja e parë dhe afro-amerikanja e parë dhe një nga dy gratë e para myslimane që shërbeu në Kongresin e SHBA-së.