Botë

Konfirmohet edhe viktima e dytë në SHBA nga uragani Ida, dhjetramijëra pritet të mbesin me javë pa rrymë

Komunitetet në Louisiana të prekura nga uragani Ida po përballen me një rrezik të ri, ndërsa kanë filluar detyrën për të pastruar dhe të riparuar dëmet e shkaktuara nga stuhia: mundësia që të mbesin pa energji elektrike me javë është shumë reale, raporton agjencia AP.

Ida ka shkatërruar rrjetin energjik, duke e lënë gjithë qytetin e New Orleansit dhe qindëramijëra banorë tjerë të Louisianas në errësirë, dhe pa një datë se kur do të kthehet energjia.

Disa zona jashtë New Orleansit janë përballur me vërshime të mëdha dhe dëmtime më të rënda.

“Sigurisht se ka më tepër pyetje sesa përgjigje. Nuk mund t’u them se kur do të kthehet energjia elektrike. Nuk mund t’u them se kur do t’i pastrojmë gjitha rrënojat dhe të bëjmë gjitha riparimet. Por, ajo që mund t’u them është se do të punojmë fortë çdo ditë për të ofruar sa më tepër ndihmë që mundemi”, ka thënë guvernatori i Louisianas, John Bel Edwards në konferencë për media të hënën.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka pasur një takim virtual të hënën me guvernatorin Edwards dhe me guvernatorin e Mississippit, Tate Reeves, si dhe me kryebashkiakë nga qytetet më së tepërmi të prekura nga uragani Ida, për të marrë informata për ndikimin e stuhisë dhe për të diskutuar se si Qeveria Federale mund të ofrojë ndihmë.

“Ne jemi duke u koordinuar nga afër me shtetet dhe zyrtarët lokalë për çdo hap”, ka thënë Biden.

Trupat e shpëtimit në anije, helikopterë dhe me kamionë kanë dërguar qindra persona të ngujuar, për në vende të sigurta dhe planifikojnë të shkojnë derë më derë për të konfirmuar nëse të gjithë janë mirë. Mbi 25 mijë punonjës kanë dal në terren në Louisiana për të ndihmuar të rregullohet rrjeti elektrik dhe pritet të dalin edhe më tepër në ditët në vijim.

Por, prapë dëmet janë vlerësuar si “katastrofale” dhe zyrtarët kanë thënë se mund të zgjasë me javë para se elektriciteti të kthehet.

Mbi 1 milion shtëpi dhe biznese në Louisiana dhe Mississippi kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa uragani Ida me erëra me shpejtësi deri 240 kilometra në orë arriti në këto zona të dielën. Uragani i kategorisë së katërt, deri të hënën uli shpejtësinë dhe u kthye në stuhi tropikale me shpejtësi deri 56 kilometra në orë.

Por po paralajmërohen shira të mëdha dhe rreziqe nga vërshimet në disa pjesë të Tennessees dhe në Ohio.

Stuhia fajësohet për së paku dy vdekje – një motorist që është mbytur në ujëra në New Orleans dhe një person që është goditur nga një dru jashtë Baton Rouge.