Uragani “Idilia” ka goditur në Florida e Georgia si stuhi e kategorisë së tretë, duke lënë pa energji elektrike mbi 275 mijë banorë në Florida e afro 125 mijë në Georgia, raporton BBC.
Suwannee County dhe Columbia County në Florida janë prekur më së rëndi. Në Suwannee afro 24 mijë banorë kanë mbetur pa energji elektrike, afro 99 për qind të banorëve në total, ndërsa në Columbia afro 35 mijë banorë, që i bie 87 për qind.
Uragani ka shkaktuar vërshime.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se stuhia ende është mjaft e rrezikshme.
“Është ende shumë e rrezikshme me shpejtësi deri 121 kilometra në orë dhe impakti është ndier nëpër juglindje”, ka thënë Biden në konferencë për media.
Biden ka thënë se ka folur me gjithë guvernatorët sot, përfshirë edhe atë të Floridas, Ron DeSantis.
Biden ka thënë se askush nuk mund ta mohojë “ndikimin e krizës klimatike”.
Ka përmendur uraganët, vërshimet, shterpësinë dhe zjarret.
“Kurrë nuk kemi pasur aq shumë zjarre. Derisa po merremi me këtë ngjarje të fundit të motit ekstrem, ne jemi të përqëndruar të rindërtojmë Mauin. Ishte shkatërruese ajo që ndodhi atje”, ka thënë Biden, duke iu referuar zjarreve në Havai.