Botë

Komandanti iranian paralajmëron SHBA-në, thotë se ushtria e tij e ka “gishtin në këmbëz”

luftanija amerikane

Foto: Associated Press

Garda Revolucionare e Iranit është “më e gatshme se kurrë, me gishtin në këmbëz”, deklaroi të shtunën komandanti i saj, pasi SHBA-ja njoftoi se anijet luftarake amerikane po drejtoheshin drejt Lindjes së Mesme.

Media iraniane “Nournews” raportoi në kanalin e saj në Telegram se komandanti Mohammad Pakpour paralajmëroi Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin “të shmangin çdo keqllogaritje”, raportoi AP. 

“Garda Revolucionare Islamike dhe Irani qëndrojnë më të gatshëm se kurrë, me gishtin në këmbëz, për të zbatuar urdhrat dhe direktivat e Komandantit të Përgjithshëm”, ka thënë ai. 

Tensionet mbeten të larta mes Iranit dhe SHBA-së pas një shtypjeje të përgjakshme të protestave që nisën më 28 dhjetor, të shkaktuara nga kolapsi i monedhës iraniane, dhe që u përhapën në mbarë vendin për rreth dy javë.

Presidenti amerikan, Donald Trump, vazhdimisht e ka paralajmëruar Teheranin që të mos i prekë protestuesit, përndryshe do të ndërhynte me ushtri. 

Trumpi ka deklaruar se Irani ka ndalur ekzekutimin e 800 të burgosurve në protesta, megjithatë prokurori i përgjithshëm i Iranit, Mohammad Movahedi, e ka mohuar fuqishëm deklaratën e tij. 

Të enjten, Trumpi deklaroi se SHBA-ja po lëvizte luftanijet drejt Iranit në rast se ky i fundit do të ndërmerrte ndonjë veprim.