Këshilltarët e presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, kanë deklaruar se për arritjen e një marrëveshje për paqe në Ukrainë do të duhen muaj ose edhe më shumë kohë.
Kjo paraqet një kthim të madh në realitet nga premtimi më i madh elektoral për politikën e jashtme i Tumpit, për të vendosur një marrëveshje për paqe në ditën e parë në Shtëpinë e Bardhë, ka raportuar agjencia Reuters.
Dy këshilltarë të Trumpit që kanë diskutuar për luftën në Ukrainë me presidentin e zgjedhur, kanë deklaruar për Reuters se ata duhet të konsiderojnë një kohë të përshtatshme për të zgjedhur konfliktin, duke e përshkruar premtimin e “ditës së parë” si një kombinim i euforisë së fushatës dhe mungesë e vlerësimit dhe kontrollimit të konfliktit.
Këto vlerësime janë në përputhje me deklaratat e përfaqësuesit të ri të Trump për çështjen e Rusisë dhe Ukrainës, gjenerallejtënantit të pensionuar Keith Kellogg, i cili në një intervistë për Fox News javën e kaluar, ka theksuar se ai do të donte të kishte “zgjidhje” për luftën brenda 100 ditëve, larg nga ajo se çfarë presidenti i zgjedhur kishte premtuar.
Edhe koha e dhënë nga Kellogg ishte “shumë, shumë optimiste”, ka thënë John Herbst, ish-ambasadori i SHBA-së në Ukrainë.
“Që kjo të funksionojë, Trump duhet ta bindë presidentin e Rusisë Vladimir Putin se ka një disavantazh nëse qëndron i palëkundur”, ka deklaruar Herbst.
Në fund të tetorit, presidenti i zgjedhur Trump ka ndryshuar qëndrimin ndaj zgjidhjes së konfliktit pasi para tetorit ka thënë se do e zgjidhë konfliktin ditën e parë në Shtëpinë e Bardhë, kurse tani ka thënë se do ta zgjidhë “shumë shpejtë”.
Gjatë një konference për media në dhjetor presidenti i zgjedhur Trump ka deklaruar se “më lehtë ndoshta do të arrijmë një armëpushim në Gaza se sa në Ukrainë”.
Kremlini ka dhënë sinjale të paqarta rreth marrëveshjes së paqes, ka mirëpritur bisedimet e drejtpërdrejta me Trumpin, por nuk i ka pranuar idetë e këshilltarëve të tij.