Botë

Katër të vdekur nga shembja e ndërtesës në qendër të Madridit

Shembja e ndërtesës në Madrid

Foto: Associated Press

Të paktën katër persona kanë vdekur nga shembja e një ndërtese 6-katëshe në qendër të Madridit, raportoi të mërkurën Reuters.

Shërbimet spanjolle të emergjencës kanë nxjerrë trupat e viktimave nën rrënojat ndërtesës që u shemb në kryeqytetin spanjoll derisa po rikonstruktohej në një hotel, kanë njoftuar autoritetet lokale.

“Me trishtim të thellë konfirmojmë se zjarrfikësit e Madridit kanë gjetur trupat e personave që u zhdukën pas shembjes”, shkroi në platformën X, kryebashkiaku Jose Luis Almeida.

Viktimat janë identifikuar si tre burra, nga 30 dhe 50 vjeç nga Ekuadori, Mali dhe Guinea-Konakri, të punësuar në vend si punëtorë ndërtimi, si dhe një grua 30-vjeçare, arkitekte e projektit të rinovimit.

Trupat e tyre janë gjetur gati 15 orë pas shembjes së ndërtesës në një operacion kërkim-shpëtimi ku policia dhe zjarrfikësit përdorën dronë dhe qen. Tre punëtorë të tjerë ndërtimi kanë mbetur të lënduar. 

Një punëtor ndërtimi me emrin Mikhail po pomponte beton në katet e poshtme të ndërtesës dhe ishte jashtë kur ndodhi shembja. Ai tha se posa e pa ngjarjen të ndodhte, iku me vrap.

"Isha i pari që ia mbatha, nuk më interesonte asgjë tjetër. Do të shpëtoj jetën time më parë dhe, nëse mundem, do të shpëtoj të tjerët më vonë", ka thënë ai para gazetarëve të martën.