Aktivistët vazhduan të protestojnë për të katërtën ditë me radhë në sheshin qendror Puerta del Sol të Madridit të martën, duke kërkuar masa nga qeveria e koalicionit për të trajtuar krizën e strehimit në Spanjë.
Qindra njerëz kanë ngritur çadrat në Madrid, në ditën e katërt të protestave, duke pritur dekretin e ri të qeverisë së koalicionit të majtë të Spanjës, të drejtuar nga Pedro Sanchez, për të përballuar krizën e strehimit që ditët e fundit ka nxjerrë mijëra njerëz në rrugë.
Aktivistët për strehimin, të cilëve, që prej nisjes së protestës në Puerta del Sol, u janë bashkuar edhe mbështetës të arsimit dhe kauzave të tjera sociale, kërkojnë mbrojtje më të fortë për qiramarrësit, masa për të luftuar mashtrimet dhe ndalimin e dëbimeve kur nuk ka banesa alternative në dispozicion.
Aktivistët do ta ndjekin nga afër konferencën javore për shtyp të qeverisë, pasi vazhdimi ose jo i kampit protestues do të varet nga masat që do të njoftohen.
Kampi në Puerta del Sol është ngritur pas një proteste masive në rrugët e qytetit, e nxitur nga dëbimi dramatik i Maria del Carmen Abascal nga apartamenti ku kishte jetuar për shtatë dekada, në lagjen luksoze Retiro.
Gruaja 87-vjeçare do të mund të kthehet në shtëpinë e saj, pas marrëveshjes paraprake të arritur me kompaninë që zotëron ndërtesën.
Spanja njofton masa të reja për strehimin pas protestave lidhur me dëbimin e një 87-vjeçareje
Qeveria e koalicionit në Spanjë ka miratuar masa të reja për strehimin, pas protestave lidhur me krizën e banesave në vend, të nxitura nga dëbimi i një gruaje 87-vjeçare nga shtëpia e saj në Madrid javën e kaluar.
Ministrat janë mbledhur të martën për të diskutuar propozimet, të cilat përfshijë një ndalim të mundshëm të dëbimeve deri në vitin 2030, ka thënë ministrja e Shëndetësisë, Monica Garcia.
Ajo ka shtuar se masat do të lehtësonin situatën për më shumë se pesë milionë njerëz, por politikania e opozitës Miriam Nogueras ka thënë se marrëveshja i linte “pronarët e vegjël në mëshirë të fatit”.
Masat e reja për strehimin duhet të miratohen nga parlamenti, ku qeveria e koalicionit të majtë nuk ka shumicë.
Garcia ka thënë po ashtu se masat e tjera të miratuara të martën përfshinin zgjatjen e kontratave deri në vitin 2028, rregullim më të rreptë të qirave afatshkurtra dhe qirave të dhomave, si dhe ndalimin e blerjes së banesave nga firmat e investimeve.
“Ka ardhur koha të ndërhyjmë në tregun spekulativ të banesave dhe të fillojmë të vendosim një ekuilibër mes qytetarëve të zakonshëm dhe fondeve grabitqare”, ka thënë Garcia.
Qeveria e pakicës, e përbërë nga Socialistët në pushtet dhe partneri më i vogël i koalicionit, Sumar, ka 30 ditë nga publikimi i dekretit për të arritur një marrëveshje në parlament.