Botë

Katër të vdekur gjatë përndjekjes policore të një veture në Florida

Florida

Të paktën katër persona kanë mbetur të vdekur dhe 13 të tjerë të lënduar pasi një ndjekje policore mëngjesin e së dielës në Tampa, Florida, përfundoi me shoferin që po ndiqnin duke u përplasur në një lokal.

Gjatë ndjekjes policore autoritetet nuk arritën ta ndalonin shoferin që po voziste me shpejtësi përpara se ai të humbiste kontrollin e veturës dhe të përplasej në oborrin e jashtëm të lokalit, ka bërë të ditur Departamenti i Policisë së Tampas në një deklaratë.

Tre viktima vdiqën në vend dhe një tjetër vdiq në spital, ka thënë policia. Nga të lënduarit, disa kanë lëndime të rënda për jetën ndërkaq disa të tjerë më të lehta.

I dyshuari 22-vjeçar është në paraburgim dhe një hetim është duke u zhvilluar. 

Shërbimi ajror i Departamentit të Policisë së Tampas kishte vënë re një veturë që po ngiste pakujdesshëm në autostradë.

Pasi vetura kishte dalë nga autostrada, Patrulla e Autostradave të Floridës kishte nisur ta ndiqte atë ndërsa vetura vazhdonte të ecte me shpejtësi nëpër rrugët e qytetit.

Patrulla e autostradës më pas ishte përpjekur të bënte "manovrën PIT", një teknikë e diskutueshme që zbatuesit e ligjit përdorin për të detyruar një automjet që po largohej të rrotullohej papritur anash dhe të ndalonte.

Manovrat PIT ndonjëherë rezultojnë në vdekjen e kalimtarëve të pafajshëm, ka bërë të ditur qeveria federale në një raport të vitit 2023 që u bëri thirrje oficerëve të merrnin në konsideratë teknika ndjekjeje më pak të rrezikshme.

Kur manovra dështoi, patrulla e autostradës ndaloi ndjekjen e veturës dhe shoferi vazhdoi të ecte me shpejtësi, ka thënë policia.

Më pas shoferi kishte humbur kontrollin e automjetit dhe është përplasur me një bar të quajtur Bradley's, duke goditur dhjetëra njerëz që ishin mbledhur në oborr, sipas policisë.