Përditësim, 19:40 - Policia gjermane ka njoftuar se një grua ka humbur jetën dhe 29 persona të tjerë janë lënduar pasi një veturë është futur mes një turme në një aktivitet të "Berlin Pride".
Policia ka identifikuar një të dyshuar, i cili sipas tyre ka lidhje të njohura me qarqe islamiste. Ai është qëlluar për vdekje në mbrëmjen e së dieles, pas një operacioni kërkimi që zgjati disa orë.
Një automjet i bardhë, që dyshohet se është përdorur në sulm, është fotografuar gjithashtu brenda perimetrit të sigurisë së policisë.
Ngjarja ka ndodhur në parkun Tiergarten, pranë Portës së famshme të Brandenburgut, pak para orës 22:00 të shtunën.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, e ka cilësuar incidentin si një "akt të tmerrshëm" dhe ka premtuar një hetim të plotë.
Ndërkaq, kryetari i Bashkisë së Berlinit, Kai Wegner, ka thënë se ngjarja ishte "një sulm ndaj shoqërisë sonë të lirë dhe me mendje të hapur".
Vritet i dyshuari për sulmin në Berlin
Departamenti i Policisë së Berlinit ka njoftuar se është qëlluar për vdekje i dyshuari për sulmin e djeshëm në Paradën e Krenarisë në Berlin, raporton “BBC”. I dyshuari Abdul Balout u përplas me një furgon në turmë të njerëzve dhe më pas theri me thikë disa persona. Një grua humbi jetën e 29 të tjerë u lënduan.
Ballout 21-vjeçar ishte shtetas gjerman me origjinë libaneze dhe ishte i njohur për policinë si persona që kishte tentuar t’i bashkohej Shtetit Islamik.
Policia e Berlinit ka njoftuar se ai është qëlluar në Spandau rreth orës 18;00 me kohë lokale. Policia ka thënë se i dyshuari kishte tentuar t’i sulmonte zyrtarët policorë me thikë dhe është neutralizuar.
Kemi të bëjmë me sulm islamist, thotë ministri gjerman pas futjes së veturës në “Berlin Pride”
Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, ka deklaruar të dielën se sulmi me veturë në Paradën e Krenarisë në Berlin, të shtunën në mbrëmje, tregon se bëhet fjalë për një sulm islamist.
“Gjithçka që po shohim këtu tregon se kemi të bëjmë me një sulm islamist", është shprehur Dobrindt teksa po fliste para gazetarëve.
Ai ka thënë se i dyshuari është në arrati dhe se një numër i madh oficerësh të policisë së Berlinit dhe të policisë federale po punojnë për ta gjetur atë.
Ministri ka thënë po ashtu se janë 29 të lënduar nga 16 sa u raportuan fillimisht.
Dobrindt ka deklaruar po ashtu se “i dyshuari kishte kryer një sërë krimesh, ishte radikalizuar më parë dhe njihej si pjesë e mjedisit islamist.
Sipas tij, i dyshuari është shtetas gjerman me prejardhje libaneze. Ai thotë se i dyshuari ka lindur në Gjermani në vitin 2004 dhe se nëna e tij kishte marrë shtetësinë gjermane në vitin 2002.