Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka njoftuar të enjten se Katari do të investojë 10 miliardë dollarë gjatë viteve të ardhshme në bazën ajrore të Al Udeid në jugperëndim të kryeqytetit të vendit, Doha, bazën më të madhe të SHBA-së në Lindjen e Mesme, ka raportuar “Reuters”.
Në një fjalim për trupat e SHBA-së në bazë gjatë udhëtimit të tij në vendet e Gjirit Persik, Trumpi po ashtu njoftoi se blerjet e Katarit për mbrojtje arrin vlerën 42 miliardë dollarë.
Më vonë Trumpi do të udhëtojë për në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), ku liderët po kërkojnë ndihmë nga SHBA-ja për ta bërë vendin e pasur të Gjirit liderin global të inteligjencës artificiale (IA).
SHBA-ja ka marrëveshje preliminare me Emiratet të lejojë vendin të importojë 500 mijë nga çipat më të avancuar të IA në vit të Nvidias, duke filluar nga ky vit.
Marrëveshja do të shpejtonte ndërtimin e qendrave të të dhënave në Emirate të cilat janë jetike për zhvillimin e modeleve të inteligjencës artificiale. Por marrëveshja ka provokuar shqetësime të sigurisë kombëtare në sektorët e qeverisë së SHBA-së, dhe kushtet mund të ndryshojnë, sipas burimeve.
Një listë e marrëveshjeve tregtare janë arritur gjatë turit katër ditor të Trumpit në rajonin e Gjirit Persik, duke përfshirë një blerje për Qatar Airways të afro 210 aeroplanëve Boeing të prodhuar në SHBA, një premtim nga Arabia Saudite për të investuar 600 miliardë dollarë në SHBA, dhe 142 miliardë dollarë për blerje të armëve.