Një anije e ekipeve të shpëtimit me qindra emigrantë, përfshirë edhe një foshnje tremuajshe, ka ankoruar në brigjet e portit të Sicilisë sot në mëngjes. Me të janë sjellë 549 emigrantë, përfshi tri gra shtatzëna dhe 94 të mitur të pashoqëruar nga prindërit, ka njoftuar organizate bamirëse nga Franca, SOS Mediterane.
Emigrantë u shpëtuan në fillim të javës në Detin Mesdhe gjatë gjashtë aksioneve të ndryshme të shpëtimit. Pasi t’u ofrohet kujdesi shëndetësor dhe testet për COVID-19, emigrantët do të transferohen në anijen “Axura”, ku do të mbahen për katërmbëdhjetë ditë në karantinë.
Vala e emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore nëpërmjet ujërave të Mesdheut ka shënuar rënie muajve të fundit pas viteve të tëra të përshkuara me fundosje të anijeve të vjetruara të trafikantëve të qenieve njerëzore pasi shtetet evropiane arritën marrëveshje me Turqinë për mbylljen e kufijve me Greqinë për emigrantët që ndiqnin rrugën ballkanike në drejtim të Evropës Perëndimore.
Aktivistët e të drejtave të njeriut akuzojnë Bashkimin Evropian se po shkel konventat e të drejtave të emigrantëve duke ua vështirësuar kalimin në Evropë emigrantëve dhe refugjatëve nga shtetet e trazuara dhe në luftëra civile në Afrikën Veriore dhe Lindje të Mesme.