Presidenti rus Vladimir Putin nuk do të kishte pushtuar Ukrainën nëse do të ishte grua, ka pohuar kryeministri britanik Boris Johnson të mërkurën, shkruan BBC.
Johnsoni ka thënë se “pushtimi i çmendur ishte shembull i përsosur i maskulinitetit toksik" dhe ai bëri thirrje për "më shumë gra në pozitat e pushtetit".
Komentet e Johnsonit vijnë përpara takimit të NATO-s ku aleatët do të diskutojnë se si t'i përgjigjen kërcënimeve të ardhshme.
Në samitin në Madrid, ai do t'u bëjë thirrje anëtarëve të tjerë të aleancës mbrojtëse që të rrisin shpenzimet e mbrojtjes.
Shpenzimet e mbrojtjes së Britanisë parashikohen të arrijnë 2.3% të PBB-së - masa kryesore e të ardhurave vjetore të një vendi - këtë vit si rezultat i investimeve në industrinë e mbrojtjes dhe 1.3 miliardë paund mbështetje ushtarake për Ukrainën.
Disa vende të tjera që përbëjnë aleancën nuk e kanë përmbushur objektivin vjetor prej 2% të vendosur nga NATO.
Të martën, sekretari i Mbrojtjes i Britanisë, Ben Wallace, i kërkoi Johnsonit të rrisë edhe më tej shpenzimet për forcat e armatosura të Britanisë së Madhe, në dritën e kërcënimit të paraqitur nga Rusia.