Botë

Johnson: Putin më kërcënoi me jetë në prag të agresionit rus

Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, deklaroi se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e kërcënoi atë me një sulm raketor nëpërmjet një telefonate “të jashtëzakonshme”, në prag të agresionit rus ndaj Ukrainës.

Siç raportoi BBC-ja të dielën, Johnson deklaroi se kërcënimi erdhi kur u shpreh se “lufta do të ishte katastrofë e plotë”, gjatë një telefonate “shumë të gjatë në shkurt të 2022-s”.

Detajet e shkëmbimit të mesazheve janë zbuluar në një dokumentar të BBC-së, që shqyrton ndërveprimet e Putinit me liderët botërorë.

Ish-kryeministri britanik e paralajmëroi Putinin se pushtimi i Ukrainës do të çonte në sanksione perëndimore dhe më shumë trupa të NATO-s në kufijtë e Rusisë.

“Ai më kërcënoi në një moment dhe më tha: ‘Boris, nuk dua të të lëndoj, por, me një raketë, do të më duhej vetëm një minutë, ose diçka të tillë. Por, unë mendoj se nga toni i zërit, ai ishte shumë i qetë...Thjesht po luante së bashku me përpjekjet e mia për ta detyruar atë të negocionte”, u shpreh Johnson.