Shteti japonez ka ekzekutuar burrin e njohur me pseudonomin “vrasësi i Twitterit”, i cili ishte dënuar për vrasjen dhe copëtimin e nëntë personave, kryesisht të gjinisë femërore, në zbatimin e parë të dënimit me vdekje në vendin aziatik që gati tre vjet, ka raportuar CNN.
Takahiro Shiraishi, 34-vjeçar, u var në litar të premten në Qendrën e Dënimit në Tokio. Ai ishte dënuar me vdekje në vitin 2020 pasi që e pat pranuar fajësinë për vrasjen e nëntë personave, 8 vajzave dhe një djali.
Shiraishi ishte arrestuar në tetorin e 2017-tës, pasi policia bastisi shtëpinë e tij në qytetin Zama, në periferi të Tokios, për të hetuar zhdukjen e një gruaje 23-vjeçare e cila kishte shprehur mendime vetëvrasëse në rrjetet sociale, përfshirë “Twitterin”, i njohur tani si “X”.
Tre kuti dhe pesë kontejnerë u gjetën në dhomën e Shiraishit, që përmbanin koka dhe kocka njerëzore, pati raportuar asokohe televizioni japonez Asahi, duke cituar burimet e policisë.
Çështja e vrasjeve serike të profilit të lartë e kishte mbërthyer kombin për vite me radhë, teksa kishte ngritur shqetësime lidhur me rreziqet e përdorimit të rrjeteve sociale.
Nëntë viktimat ishin të moshës mes 15 dhe 26 vjeç, sipas transmetuesit publik japonez NHK dhe TV Asahi, të cilët cituan autoritetet gjyqësore. Viktimat kishin postuar në internet se donin të vrisnin veten, duke u kontaktuar si rrjedhojë nga Shiraishi.
Ai i kishte ftuar ata në apartamentin e tij në Zama, duke premtuar se do t’i ndihmonte të vdisnin, thuhet në aktakuzën e prokurorisë.
Shiraishi e pati pranuar fajin për akuzat e lartcekura, tek kishte thënë në gjykatë se i kishte vrarë ato për të kënaqur dëshirat e tij seksuale.
Ai ishte shpallur fajtor në dhjetorin e 2020-tës për vrasjen, përdhunimin dhe copëtimin e nëntë viktimave, si dhe ruajtjen e trupave të tyre në apartamentin e tij.