Drejtori i Përgjithshëm dhe drejtuesja kryesore e lajmeve të transmetuesit publik britanik BBC, kanë dhënë dorëheqjen të dielën pas kritikave për mënyrën se si organizata mediatike kishte reduktuar një fjalim të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
BBC-ja ka njoftuar se drejtori i Përgjithshëm, Tim Davie dhe shefja ekzekutive e lajmeve Deborah Turness kanë vendosur të largohen nga korporata, raporton AP.
Transmetuesi kombëtar i Britanisë, i financuar publikisht, është kritikuar për redaktimin e një fjalimi që Trumpi kishte mbajtur më 6 janar 2021, përpara se protestuesit të sulmonin Kapitolin në Uashington.
Kritikët thanë se mënyra se si u redaktua fjalimi për një dokumentar të BBC-së vitin e kaluar ishte mashtruese, dhe se ata kishin prerë një pjesë ku Trumpi kishte thënë se donte që mbështetësit të demonstronin në mënyrë paqësore.
Një klip i episodit "Panorama" të BBC-së i ndarë nga The Daily Telegraph duket se tregon pjesë të ndryshme të fjalimit të Trumpit të redaktuara në një citat të vetëm. Në episod, Trumpi tregohet duke thënë: "Do të ecim deri në Kapitol dhe unë do të jem atje me ju. Dhe do të luftojmë. Do të luftojmë si në ferr”.
Sipas videos dhe një transkripti nga komentet e Trumpit atë ditë, ai kishte thënë: “Do të ecim drejt Kapitolit dhe do të brohorasim për senatorët, kongresmenët dhe kongresmenet tona të guximshme, dhe ndoshta nuk do të brohorasim aq shumë për disa prej tyre.”
“Sepse nuk do ta ktheni kurrë mbrapsht vendin tonë me dobësi. Duhet të tregoni forcë dhe duhet të jeni të fortë. Ne kemi ardhur për të kërkuar që Kongresi të bëjë gjënë e duhur dhe të numërojë vetëm zgjedhësit që janë shpallur ligjërisht, të shpallur ligjërisht. E di që të gjithë këtu së shpejti do të marshojnë drejt ndërtesës së Kapitolit për të bërë që zëri juaj të dëgjohet në mënyrë paqësore dhe patriotike”.
Në një letër drejtuar stafit, Davie ka deklaruar se largimi nga puna pas pesë vjetësh është tërësisht vendimi i tij.
“Në përgjithësi, BBC-ja po jep rezultate të mira, por janë bërë disa gabime dhe si drejtor i përgjithshëm duhet të marr përgjegjësinë përfundimtare”, ka thënë Davie.
Ndërkaq Turness ka thënë se polemika rreth dokumentarit të Trumpit “ka arritur në një fazë ku po i shkakton dëme BBC-së — një institucion që e dua”.
“Në jetën publike, udhëheqësit duhet të jenë plotësisht përgjegjës dhe kjo është arsyeja pse po jap dorëheqjen”, tha ajo në një shënim për stafin. “Ndërsa janë bërë gabime, dua të jem absolutisht e qartë se akuzat e fundit se BBC News është e anshme institucionalisht janë të gabuara”.
Trumpi ka postuar një link të një artikulli të Daily Telegraph në lidhje me redaktimin e fjalimit në rrjetin e tij Truth Social, duke falënderuar gazetën “për ekspozimin e këtyre ‘Gazetarëve’ të Korruptuar".
Presioni mbi drejtuesit më të lartë të transmetuesit është rritur që kur gazeta e djathtë "Daily Telegraph” publikoi pjesë të një dosjeje të përpiluar nga Michael Prescott, i cili ishte punësuar për të këshilluar BBC-në mbi standardet dhe udhëzimet.
Përveç redaktimit të Trumpit, ai kritikoi mbulimin e çështjeve transgjinore nga BBC-ja dhe ngriti shqetësime për paragjykime anti-Izrael në shërbimin arab të BBC-së.
BBC-ja, 103-vjeçare, përballet me një shqyrtim më të madh se transmetuesit e tjerë, dhe kritika nga rivalët e saj komercialë, për shkak të statusit të saj si një institucion kombëtar i financuar përmes një tarife vjetore licence prej 174.50 funtesh të paguar nga të gjitha familjet.